Në takimin me Daçiç nuk diskutohen të drejtat e shqiptarëve
UPDATE: Udhëheqësit shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë takuar sot në Beograd kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç.

Në takim është diskutuar për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë dhe është rënë dakord që të takohen sërish pars tri muajsh.

Lideri i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, ka thënë se në takim nuk është folur për sigurimin e të drejtave për shqiptarët, të njëjta me ato që kanë serbët në veri të Kosovës. Megjithatë, Halimi është shprehur optimist.

“Biseda ka qenë shumë korrekte dhe unë dal nga ky takim me më shumë optimizëm”, ka thënë Halimi.

09.46- Udhëheqësit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës takohen sot me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç. Në takim do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Zoran Stankovic.

Një ditë më parë, ai tha për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se pas takimit me kryeministrin është parashikuar që ministrja e Shëndetësisë, Sllavica Gjukic Dejanovic ta vizitojë Preshevën në pjesën e dytë të tetorit. Ai ka paralajmëruar se do të fillojë puna për zgjidhjen e problemeve jetike të qytetarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës në bazë të kornizës prej 7 pikash që ka miratuar Qeveria në fillim të qershorit.

Delegacioni i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës ka biseduar në fillim të korrikut në Beograd edhe me nënkryetarin e parë të Qeverisë, Aleksandër Vuçiç i cili me atë rast ka shprehur gatishmërinë që me të gjithë të bisedojë mbi të drejtat e pakicave në harmoni të garantimit me Kushtetutë dhe me standardet më të larta ndërkombëtare, por shteti nuk është i gatshëm të bisedojë mbi tërësinë tokësore dhe sovranitetin e shtetit.

Platforma e miratuar ka të bëjë me përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, rimëkëmbjen ekonomike të tri komunave, përdorimin zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe të simboleve kombëtare, decentralizimin e gjyqësisë, arsimin, kulturën e mediat, shëndetësinë e mbrojtjen sociale dhe masat e sigurisë për vendosjen e mirëbesimit në atë hapësirë./albeu.com/
Shtuar më 10/10/2013, ora 16:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori