“Personi A” dhe “Personi B” në dosjen e McGonigal, Rama: Njëri ka punuar për mua pa pagesë

Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat në lidhje me marrëdhënien e tij me dy personat që dalin në hetimet për Charles McGonigal, ish-drejtues i lartë i FBI-së që tashmë është arrestuar.

Sipas Ramës, hetuesit amerikanë kanë dorëzuar dosjen e hetimit të tyre dhe në të nuk ka asgjë nga këto që thonë mediat dhe se raporti i tij me Agron Nezën, i përmendur në dosje si “Personi A” ka qenë miqësor dhe krejtësisht pa asnjë interes.

“Absolutisht asnjë konkluzion. Përmendjet lexojini mirë sepse aty nuk përmendet absolutisht një gjë e tillë, aty thuhet se çfarë thotë njeri dhe çfarë thotë tjetri. Ndërkohë që vetë hetuesit thonë një gjë tjetër, që hetimet kanë përfunduar, ka një të akuzuar për mosdeklarim dhe konflikt interesi në raport me mikun e tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, të cilin unë e kam takuar në takimin me të dhe me të cilin nuk kam pasur asnjë lloj lidhje tjetër përveç këtij raporti miqësor dhe këtyre shkëmbimeve krejtësisht pa asnjë interes tjetër me zyrtarin e lartë të FBI-së”, tha Rama.

“Fola për zotin Agron, i cili e përsëris vjen nga Lëvizja Demokratike, shumë i afërt i të ndjerit Azem Hajdari, fis me Besnik Mustafajn, njerëz të nderuar pa diskutim, të cilin nuk e kam njohur më parë asnjëherë dhe me të cilin nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asgjë tjetër, por e kam takuar vetëm në praninë e zyrtarit të lartë të FBI-së.
Për sa i përket personit tjetër ka qenë zv.ministër i Energjetikës në koalicionin e vitit 2013 dhe pastaj për një farë kohe ka punuar pranë meje pa pagesë”, tha Rama.


Shtuar 25.01.2023 18:03