Turistët nga Kosova do t'i gjejnë dhomat më shtrenjtë, ky është muaji më i lirë
Shqipëria nuk ofron turizëm të mirëfilltë elitar, të paktën edhe për disa vite. Investimet në ndërtime turistike janë të përqendruara në hotele të vegjël, kryesisht familjarë, ose në raste të veçanta në komplekse të vilave luksoze në bregdet.

Këtë vit, çmimet e dhomave në bregdet pritet të shënojnë rritje, si pasojë e shtimit të turistëve dhe kufizimit të kapacitetit të strukturave akomoduese. Deklarata, e cila mbështetet nga Shoqata e Hoteleri-Turizmit, duket se është edhe më e vërtetë sa i takon segmentit të turistëve të huaj dhe shqiptarë që prenotojnë përmes internetit.

Të dhënat e “Booking“, platformës më të përdorur në Shqipëri për rezervime, flasin për një numër të madh hotelesh apo individësh që i listojnë më shtrenjtë këtë vit dhomat në dispozicion. Shtrenjtimi vihet re edhe përgjatë periudhave të ndryshme të sezonit. Nëse në qershor 65% e strukturave listohen në kategorinë e çmimit nën 50 euro, në fillim të korrikut ky raport zbret në 50%. Sipas të dhënave nga Shoqata e Hoteleri -Turizëm, shtatori është muaji që ofron edhe çmimet më të mira, për ata pushues që zgjedhin të rrezikojnë disi me motin gjatë kësaj periudhe, për shkak se ka një zbritje të menjëhershme prej 17 eurosh.

Çmimet e mësipërme pasqyrojnë vetë listimet e pronarëve të dhomave, ndaj paraqesin ofertën dhe çmimi final mesatar pritet të jetë lehtësisht më i ulët. Ndërkohë, vihet re një fenomen, ku gjatë periudhës më të ngarkuar në gusht, numri i dhomave të listuara zbret ndjeshëm për shkak të rezervimeve që pronarët e strukturave kanë nga të njohurit apo pushuesit e shpeshtë.

Numri i turistëve në rritje

Bilanci progresiv i katërmujorit ngelet me rritje të turistëve të huaj. Për katër muaj, Shqipërinë e vizituan 1 milion e 28 mijë shtetas të huaj, në rritje me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, ritmi i rritjes ka rënë ndjeshëm, po të kemi parasysh se për tremujorin rritja kishte qenë 12.5%. Kosova dominon numrin e vizitorëve nga jashtë në Shqipëri me afro 347 mijë në katër muaj. Numri i vizitorëve nga Kosova është në rritje me rreth 6% për katërmujorin e parë, pas rënies së vitit të kaluar.

Vizitorët prej vendeve fqinje përbënin rreth 80% të numrit të përgjithshëm të vizitorëve të huaj në katër muajt e parë të vitit 2018. Megjithatë, vizitat nga vendet fqinje, kryesisht lidhen me udhëtime pune dhe tregtie, më shumë sesa me qëllime turistike. Ndërkohë, vizitat e shqiptarëve jashtë shtetit u rritën gjatë muajit prill, me 5% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në katër muajt e parë të vitit, shqiptarët kanë kryer 1.56 dalje jashtë vendit, në rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Operatorët: Ofrojmë 70 mijë shtretër

Sipas operatorëve turistikë, situata është përmirësuar krahasuar me vitet e tjera. Ata shprehen për revistën “Scan Magazine“ se ka përmirësime edhe në cilësinë e shërbimit, por mbetet ende shumë për t’u bërë për infrastrukturën dhe njësitë akomoduese, të cilat nuk janë të mjaftueshme. Aktualisht, vendi ynë ofron vetëm 70 mijë shtretër, por kjo nuk mjafton nisur nga fakti se për 2018-ën Shqipërinë pritet ta vizitojnë një numër shumë më i lartë turistësh të huaj. Më herët, sipërmarrës në këtë sektor kanë ngritur shqetësimin se nuk ka pasur investime dhe shërbimet për turistët nuk janë në nivelin e duhur. Duke i kërkuar qeverisë që të kthejë sytë nga investimet në turizëm si në infrastrukturë, pastrim, shërbime dhe të ketë projekte konktete, pasi sipas tyre konkurrenca në rajon është mjaft e ashpër.

Sipas Unionit Turistik Shqiptar, turizmi i përqendruar më së shumti në atë bregdetar, ka një kontribut afro 27 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto. E ndërsa listohen rreth 2300 fshatra me potencial turistik, vetëm 20 prej tyre janë të aksesueshëm nga pikpamja e infrastrukturës. Kryetar i Unionit të Turizmit Shqiptar, Rrahman Kasa thekson për revistën “Scan“ si mjaft të rëndësishëm faktin se duhet një bashkëpunim i sektorit privat me atë shtetëror për të pasur zhvillim në turizëm. Lidhur me uljen e TVSH-së, Kasa theksoi se kjo ndihmon në uljen e informalitetit.

Megjithatë, ai shton se hotelet duhet të përballen me detyrime më rigoroze për zbatimin e standardeve mjedisore dhe cilësore. Ai e quan të pafalshme që një hotel në breg të detit të mos përgjigjet për ujërat e ndotura apo për zhurmat e shkaktuara. Ndërsa sa i takon kohëzgjatjes së sezonit turistik, kreu i Unionit të Turizmit Shqiptar, shprehet se duhet që të shtrihet në të katërta stinët, gjë e cila do të ndihmonte sektorin të sillte akoma më shumë të ardhura në ekonomi.

Sipas Kasës, gjithë këto vite bregdeti është përzgjedhur më shumë, por ai që ngelet ende i papromovuar është turizmi malor. Ai kërkon vëmendjen e qeverisë për të shmangur të gjitha pengesat e zhvillimit të këtij sektori.
Shtuar më 18/06/2018, ora 08:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori