‘Treni i Ahtisarit’ për veriun ka ikur
Autoritetet politike dhe shoqërore në Kosovë janë shumë këmbëngulëse që lidhur me integrimin e veriut të Kosovës, të mos lëshojnë pe përtej planit të presidentit Marti Ahtisari, kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Por, analistët e çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se Prishtina zyrtare do të jetë e detyruar që ta tejkalojë këtë plan.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, thotë se qëndrimi i ngurtë i Prishtinës zyrtare është rezultat i mospërfundimit të procesit me shpalljen e pavarësisë së vendit, por edhe njohjes së pamjaftueshme të situatës në veri, si dhe mungesës së komunikimit ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe serbëve të veriut.

“Realisht, ‘treni i Ahtisarit’ për veriun ka ikur. Situata në të cilën jemi tash, si dhe proceset që do të vijnë në vazhdim, sidomos ato proceset integruese të BE-së, do ta detyrojnë Prishtinën që të mendojë për diçka përtej Planit të Ahtisarit... Me siguri që Prishtina, për një kohë të gjatë, do të insistojë në bazat e Planit të Ahtisarit dhe fundamentalisht në provizionet e këtij plani. Por, realisht, Prishtina do të ulet në tavolinë me veriun apo qoftë edhe me Beogradin me Planin e Ahtisarit”, thotë Rashiti.

Politologu Belul Beqaj vlerëson se vendimi i ngurtë i Prishtinës zyrtare për të mos diskutuar asgjë lidhur me veriun jashtë kornizave që jep Plani i Ahtisarit, do të ndryshojë varësisht nga kërkesa e faktorëve në bashkësinë ndërkombëtare.

Pushteti i Kosovës do të shkojë deri në atë pikë, nëse këtë e kërkon vendosmërisht Bashkimi Evropian, e veçanërisht SHBA-ja, thotë ai.

Sipas Beqajt, kërkesa që parashtrojnë zërat e ndryshëm ndërkombëtarë për një qasje të veçantë ndaj veriut, nënkupton respektimin e gjendjes faktike në veri. Por, siç thotë ai, kjo krijon huti te kosovarët, sepse nuk është definuar nëse kërkesa shkon në drejtim të asaj që të respektohen faktorët, të cilët, sipas tij, janë bllokues të proceseve dhe ngritës të barrikadave.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në vazhdimësi kanë përsëritur qëndrimin se çështja e veriut dhe integrimit të tij në rendin kushtetues të Kosovës, nuk do të zgjidhet jashtë kornizave që ofron Plani i Ahtisaarit.

Ky plan, sipas tyre, ka qenë kompromisi i fundit që kanë bërë autoritetet e Kosovës. Mbi bazën e këtij plani, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj.
Shtuar më 09/11/2011, ora 13:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori