28 orë not, Eva Buzo zbulon 3 të papriturat që i ndodhën gjatë natës: Ndërkohë që po shihja bregun shqiptar…

Vetëm pak ditë më parë, avokatja Eva Buzo ndërmori një sfidë për të kaluar me not nga brigjet e Italisë drejt Vlorës. Vetëm 16 kilometra nga bregu i Vlorës, pasi kishte notuar 75 kilometra, 36-vjeçarja ndaloi së notuari pas rreth 28 orësh rrugëtim.

Mëngjesin e kësaj të premte Buzo ishte e ftuar në studion e emisionit “Wake Up”, ku fillimisht tha ‘se gëzon shëndet të plotë’. Më pas Eva zbuloi se si ishte të notonte aq gjatë.

“E fillova me idenë që do ta shijoj ditën duke notuar. Do të notoj në një oqean blu, do ta shijoj ditën e parë. Plani për natën ishte… Më pëlqen të notoj natën, është si meditim, je ti dhe mendimet e tua. Kushtet e motit ishin të mira, do të ishte deti i qetë.

Ditën e parë kushtet ishin të vështira, kishte erë. Ndërkohë që notoja e shihja bregun shqiptar, po ecja ngadalë por po konsumoja shumë energji. E pashë që nuk ishte një ditë e bukur për të notuar po thashë nata do jetë më e qetë. Natën ndodhën gjëra të papritura, kushtet nuk ishin të mira, ndodhi që kishte prapë erë, kishte shumë lëvizje në ujë, shumë rryma dhe ishte një errësirë e madhe.

Nuk mund të shihja fytyrat e trajnerëve të mi edhe pse isha shumë afër varkës. Më përpara kur kam notuar në Gjeneva ishte hënë e plotë, këtë herë ishte shumë errësirë, thash jam kaq e vogël në këtë oqean të madh. Gjatë natës hasa pickime. Kur lindi dielli ditën e dytë, kishte re, mendova se do arrija në bregdetin shqiptar”, tha Eva Buzo.