Ju pëlqen majoneza? Ja receta si ta përgatisni në kushte shtëpie

Majoneza është sigurisht salca më e famshme dhe e përhapur në botë, por origjina e saj vihet në diskutim. Egzistojnë dy versione nga të cilat: i pari na çon në vitet 1757 ku në qytetin spanjoll Mahon, kuzhinieri ushtarak i Armand de la Porte, duka i Richelieu, shpiku këtë salcë me bazë vaji dhe të verdha vezësh. Versioni i dytë thekson se emri majonezë vjen nga një fjalë shumë e vjetër franceze Moyeau, e cila do të thotë e verdhë veze.

2 te verdha vezësh,

250gr vaj luledielli,

lëngu i 1/2 limoni,

1 lugë të vogël uthull,

verë të bardhë,

piper i bardhë i sapobluar,

kripë.

Përgatitja:

Për të përgatitur majonezën duhet të përdorim vaj dhe vezë në temperaturë ambienti dhe të ndajmë të verdhën nga e bardha. Marrim një tas qelqi (ose porcelani) të thellë dhe e vendosim mbi një pecetë të lagur. Vendosim në të të verdhat e vezëve, pak kripë, pak piper dhe 1 lugë të vogël uthull.

I punojmë shumë mirë përbërësit me ndihmën e një rrahësi elektrik dhe më pas shtojmë vajin duke e hedhur në formën e një fije të hollë.

Majoneza duhet të përzihet gjithmonë në të njëjtin drejtim, derisa të përftojmë një salcë të trashë dhe kompakte. Pasi i kemi hedhur të gjithë vajin, shtojmë dhe lëngun e limonit të filtruar mirë (gjithmonë duke e përzierë),e rregullojmë me kripë dhe piper nëse është e nevojshme. Nëse majoneza nuk konsumohet menjëherë, mund të ruhet në frigorifer për një ditë duke e mbuluar me letër transparente.

Këshillë:

Nëse papritur shohim se në majonezë shfaqen disa “kokrriza”, pra përbërja nuk është plotësisht homogjene, egziston një zgjidhje! Me ndihmën e një lugë heqim mënjanë këtë pjesë të majonezës dhe e vendosim në një tas të pastër. Ndërkohë, në një tas tjetër vendosim një tjetër të verdhë veze dhe e rrahim duke i shtuar vaj si në proçedurën e mësipërme. Shtojmë pak nga pak majonezën që nuk ishte homogjene dhe vazhdojmë rrahjen. Gjendja duhet të kthehet në normalitet. E gjithë kjo ndodh sepse, e kemi hedhur më shpejt sesa duhet vajin, pra jo në formën e një fije të hollë.

Gjithashtu zgjedhja e vajit që përdorim varet gjithmonë nga përdorimi i majonezës. Në përgjithësi, majoneza prodhohet me vaj ulliri, i cili është më i miri për nga vlerat ushqimore, por shija e majonezës do të rezultojë shumë e fortë. Nëse majonezën do ta përdorim për të shoqëruar një pjatë tepër delikate, është mirë që ajo të mos e mbulojë shijen e kësaj pjate. Prandaj këshillohet të përdoret vaji i lulediellit, i misrit apo vaj ulliri me shije super delikate.

Së fundi, nëse majoneza rezulton shumë e trashë, i shtojmë një lugë ujë të ngrohtë, ndërsa nëse rezulton shumë e hollë, i shtojmë edhe pak vaj luledielli./albeu.com