“Tragjedia serbe - mbetja pa miqtë francezë, amerikanë dhe anglezë”
Patriarku serb Irinej ka thënë se nuk do të pranonte kurrfarë bisedimesh me shqiptarët derisa të mos kthehej populli serb në Kosovë dhe ka shtuar se këtë gjë ua thotë edhe politikanëve.

"Sot populli ynë po e pëson në Kosovë, ai ndoshta është vendi i vetëm në botë ku është shkelur liria e një populli, ku një popull autokton që aty ka jetuar me qindra vite, ku ka ngritur tempujt e vet të shenjtë, sot lufton për t’i ruajtur nga ata që dëshirojnë t’i përvetësojnë", ka deklaruar patriarku Irinej për "Sputnjik" rus, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se shpreson se Serbia një ditë, me rolin që e kanë Rusia e Kina në botë, do t’ia dalë ta ruajë atë që, sipas tij, me shekuj ka qenë e serbëve në Kosovë.

"Me ndihmën e miqve tanë, në radhë të parë të Rusisë. Por shpresojmë se te shumëkush do të flasë ndërgjegjja, dija dhe ndërgjegjja se ajo ka qenë gjithmonë serbe. Dhe pse ne sot nuk jemi atje, është faji i atyre që kanë mundësuar që të jemi të dëbuar dhe sidomos që nuk na mundësuan që të kthehemi",ka thënë Irinej.

Ai ka theksuar se shumë serbë do të ktheheshin, porse “nuk kanë ku të kthehen, shtëpitë i kanë të shkatërruara, pasuritë të uzurpuara, ndërsa ata që janë kthyer janë të nënshtruar ndaj sulmeve, keq bërjeve të ndryshme që po mbeten të pazbuluara e të padënuara”, ka thënë ai.

"Këtë e shohin ata që shumëkujt ua qepin rrobat, ata bëhen të mos shohin e të mos dinë, e të gjitha i dinë ... Çdo gjë dihet dhe çdo gjë është e ditur, por politika ka politikën e vet. Tragjedia jonë është që kemi mbetur pa miqtë e dikurshëm, që kanë qenë edhe francezët, edhe amerikanë edhe anglezët, e tani s’e di sa janë të tillë", ka shtuar Irinej.

Kreu i Kishës Ortodokse serbe ka thënë se serbët nuk janë në interesin e Perëndimit, por Perëndimi është në interesin e dikujt tjetër të cilit i është lejuar dhe i është dhënë e drejta të bëjë atë që, për fat të keq, e ka bërë, ndërsa ka shfaqur shpresën se “ndoshta, padrejtësisë do t’i vijë fundi”.

Irinej ka thënë se çështja e pozitës dhe pasurisë së Kishës Ortodokse serbe në Kosovë duhet të zgjidhet në ndonjë forum ose në Evropë ose në KB dhe ai shpreson se kjo një ditë do të ndodhë. /Albeu.com/
Shtuar më 07/01/2016, ora 22:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori