Linja elektrike e rënë në tokë i vret 10 lopë, miliona dëme për fermerin në Mirditë

Linja e amortizuar e shpërndarjes së rrymës elektrike në fshatin Lufaj, Njësia Administrative Selitë, në Mirditë, i ka shkaktuar një fermeri të zonës një dëm miliona lekësh.

10 lopë kanë ngordhur pasi kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike, e cila ishte shkëputur dhe rënë në tokë.

Shërbimet e komisariatit të Mirditës dhe ekspertë të sektorit të blegtorisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, për të përcaktuar shkaqet.

Linjat energjitike në fshatin Lufaj dhe në tërësi në gjithë Njësinë Administrative të Mirditës janë në kushte mesjetare, me tela nëpër shtylla të kalbura druri apo lidhur në pemë e bimësi.

Fermeri P.Gj, pret përfundimin e veprimeve hetimore për të kërkuar më pas kompensimin e dëmeve që janë të paktën 10 milion lekë.

Vlen për tu përmendur, se rrjeti i amortizuar i shpërndarjes së energjisë rrezikon edhe jetën e banorëve të zonës./Albeu.com/


Shtuar 15.06.2023 14:16