Trafikimi i organeve në Kosovë, temë e serialit zviceran
Publiku televiziv i Zvicrës gjermane ka pritur me interes këto ditë fillimin e ciklit të dytë të serialit televiziv “Der Bestatter” (Varrtari ). Përbërja e mirë e aktorëve dhe suksesi i arritur në ciklin e parë, kanë tërhequr me të madhe publikun pranë aparateve televizivë për të shikuar këtë serial kriminalistik të prodhimit vendor zviceran.

Dhe, nisur nga kuotat e shikuesve, episodi i parë “Der Todesspender” (Dhuruesi vdekjes) ka arsyetuar pritjet: me 837 mijë shikues ai ka shënuar një vlerë rekorde për produktet e ngjashme televizive në Zvicër, shkruan AlbInfo.

Ngjarja te “Varrtari” mbështetet në një rrëfim interesant dhe intrigues. Dy kufoma gjenden brenda një kohe të shkurtë në vende të ndryshme të qytetit, pavarësisht nga njëra tjetra. Por ajo që i lidh ato është gjurma e operacionit në trupat e viktimave, në të dy rastet diku në regjionin e veshkave. Nga kufoma parë, e një të riu që mendohet se është nga Evropa lindore është nxjerrë veshka ndërsa të dytit, një industrialisti zviceran i ishte transplantuar një veshkë.

Një ish detektiv policor, tash pronar i një ndërmarrjeje të varrimeve (Luc Konrad) dhe detektivja, ish partnere e tij (Anna-Maria Giovanoli) fillojnë hetimet lidhur me këtë rast misterioz. Në punën e tyre implikohet edhe detektivi federal me përvojë nga ndjekja e trafikut të organeve, Pedro Lambert, i ardhur nga Zvicra frankofone (Lozana).

Më së voni këtu ,rrëfimi filmik fiton në dinamizëm dhe “bëhet interesant” edhe për shqiptarët.

Rruga e veshkës së transplantuar kalon, merreni me mend, nëpër Prishtinë! Në një klinikë të atjeshme është bërë transplantimi i veshkës nga moldaviani i varfër te industrialisti i pasur zviceran.

Kur e bija e industrialistit, e nxitur nga Lambert fillon të hulumtojë krye në vete rrethanat e vdekjes se babait, edhe ajo vritet në mënyrë misterioze...

Rrëfimi i serialit është interesant dhe intrigues, gjë që e tregon edhe shikueshmëria e lartë që ka arritur episodi i parë.

Por, ajo që mbetet në fund është shija e hidhur. Kosova, ndonëse indirekt, paraqitet si vend që “nuk bën të anashkalohet” kur bëhet fjalë për trafikim dhe transplantim të organeve. Një aludim më se i qartë ky për aferën e njohur mediale të trafikut të organeve njerëzore, ku një spital në Prishtinë pati luajtur rol të protagonistit. /albeu.com/
Shtuar më 11/01/2014, ora 15:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori