Tomë Gashi pas thirrjes nga Specialja: S’e njoh këtë gjykatë, është e rrezikshme për shqiptarët
Avokati i OVL UÇK-së, Tomë Gashi, sot është thirrur nga EULEX që të lajmërohet në selinë e tij, por ai ka refuzuar të shkojë atje.

Gashi thotë se nuk e njeh Gjykatën Speciale dhe thotë se për t’u konsideruar serioze ftesat duhet bërë me shkrim dhe jo me anë të telefonit.

“Unë s’e pranoj Gjykatën Speciale sepse e konsideroj si jashtëzakonisht të dëmshme për shqiptarë, por s;kam kurrfarë arsye që të shqetësohem as për vete dhe as për Klinakun sepse ne jemi persona që njihemi dhe e kryejmë secili punën e vet dhe nëse dikush ka fletarrest për dikë duhet ta tregojë atë dhe të sillet në mënyrë civilizuese dhe jo me çështje të tilla të mashtrimeve t’i sjell personat e caktuar në zyrën e tyre pa kurrfarë nevoje”.

“Këto manipulime të Gjykatës Speciale do të duheshin të ndaloheshin dhe është shumë e thjeshtë. Nëse ata kanë material për zyrtarë të OVL UÇK-së ata zyrën e kanë, pavarësisht se të premten ka pasë bastisje dhe është arrestuar vetë kryetari, organizata ekziston dhe Faton Klinaku është këtu dhe i kryen punët”.

Gashi në Info Magazine nuk tregoi se si cila do të jetë përgjigja e tij në rast se Specialja i dërgon një ftesë zyrtare, por e la të shihet kur të ndodhë kjo – nëse do të ndodhë.

“Askund në botë avokatët nuk ftohen për çështje të tjera, përveç atyre juridike. Nëse ata kanë problem nëse unë e pranoj Gjykatën Speciale atëherë është problem i tyre”.

Por çka saktësisht i kërkuan sot Gashit nga EULEX?

“Ka qenë thirrje dhe ka qenë kërkesa e tyre që të shkojmë në zyrat e Policisë së EULEX-it në Kosovë për të marrë dokumentacion bashkë me Faton Klinakun dhe unë s’kam shkuar dhe i kam treguar se refuzoj të shkoj. Ata kanë dy situata: nëse duan ata t’i sjellin dokumentet në OVL të UÇK-së apo në zyrën time, por të jetë gjithçka në formë të shkruar dhe jo me thirrje telefonike, sepse këto janë mashtrime dhe qëllimkëqija. Nuk e di se si Gjykata Speciale e lejon një sjellje të tillë”.
Shtuar më 30/09/2020, ora 18:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori