Toka 20 milionëshe fut bandat në luftë
Në rrugën kryesore Prishtinë-Fushë Kosovë janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga ish komandantë të UÇK-së, politikanë dhe biznesmenë të fuqishëm dhjetra hektarë tokë me vlerë prej miliona euro.

Ata kanë arritur që të falsifikojnë dokumentet përmes lidhjeve dhe njohjeve që kanë në Gjykatë dhe Kadastër, shkruan Zëri. Mirëpo për këto hektarë tokë kanë hyrë në luftë dy grupe të forta kosovare që synojnë të kenë pjesë në të.

Pjesëtarët e këtyre grupeve, që dikur kanë qenë komandantë e ushtarë në ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me letra false e origjinale e me përpjekje disavjeçare synojnë të marrin atë tokë, vlera e së cilës aktualisht vlerësohet të jetë rreth njëzet milionë euro.

Si pronar i kësaj toke dhe me një krah dokumentesh është paraqitur në gazetën “Zëri” Arben Bashota nga Cerroviku i Klinës. Ai pohon se për tokën në fjalë ka paguar tre milion e gjysmë marka gjermane në vitin 2004, mirëpo pa ofruar ndonjë dëshmi konkrete të kësaj pagese.

Bashota thotë se ka paguar për këtë tokë, mirëpo dikush tjetër e shfrytëzon të njëjtën dhe njëkohësisht inkason mijëra euro nga operimi i bizneseve në atë pronë. Ai shprehet se “në tokën që e ka blerë” miliona marka qasjen e ka të ndaluar, nga, siç pohon ai, personat më të fortë në Kosovë. Por, bazuar në dokumentet që posedon gazeta “Zëri”, shihet fare qartë se qiranë për lokalet që gjenden përskaj rrugës kryesore nuk i merr Bashota, mirëpo Hysen Shahini.

Ky i fundit, bazuar në deklaratat që Arben Bashota ka dhënë në prokurori për vite të tëra, është njeri i pushtetit dhe si i tillë ka fuqi të posedojë diçka që nuk i takon.

“Kam miq në pushtet, por ata nuk më ndihmojnë në këtë biznes”, shprehet për gazetën Hysen Shahini. Ai thotë se dy nga ata dhjetë hektarë i shfrytëzon tash e dhjetë vjet dhe atë sipas një kontrate që e ka me ish-ndërmarrjen “Bujqësia”.

Edhe vetë Arben Bashota thotë se ka qenë komandant lufte në Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është i dyshuar për prokurorinë në lidhje me përvetësimin e kësaj toke.
Ai dyshohet se me dokumente false, ka regjistruar si të tijën pronën dhjetë hektarësh, e cila në bazë të dokumenteve që posedon gazeta ka qenë pronë shoqërore.

I përfshirë në luftën e UÇK-së, ka qenë edhe Hysen Shahini, i cili ka drejtuar Shtabin e Përgjithshëm të Zonës Operative në Nerodime, i cili konsiderohet si uzurpator, ngase aktualisht nuk paguan qira për hisen që e shfrytëzon, por përkundrazi përfiton mijë euro nga hapësira prej mbi 5 mijë metrash katrorë që është e ndërtuar, e ku veprojnë biznese të ndryshme.

Ndonëse i tërë rasti, vazhdon të jetë i pazgjidhur për vite të tëra në Gjykatë, prokurori, polici, Kadastër e Agjenci të Privatizimit, ajo që dihet është se për këtë tokë janë dhënë miliona euro, janë plagosur mbi dhjetë persona dhe janë kërcënuar e shantazhuar persona të ndryshëm. /albeu.com/
Shtuar më 09/09/2013, ora 12:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori