Rrëfimi i ish-presidentit të Ferrarit: Schumacher më bëri një dhuratë të veçantë, kam thyer dy televizorë

Luca Cordero di Montezemolo ka kaluar një jetë te Ferrari. Ai ishte president i “Kokëkuqes” midis viteve ‘90 dhe fillimit të shekullit aktual. Ai përjetoi ringjalljen dhe sukseset e mëdha me Michael Schumacherin, por edhe shumë zhgënjime. “Scuderia” e Ferrarit nuk e ka fituar titullin për pilotë që nga viti 2007.

Montezemolo ka shumë kujtime, që i zbulon me pikatore. Disa prej tyre i tregoi “Përsëri në rrugë”, në “Sky Italia”, i intervistuar nga Guido Meda, narratori i MotoGP, mbi një motor.

Montezemolo zbuloi se si i ra në duar një motor i tillë. “Kur fituam Kampionatin Botëror F1 ,në vitin 2003 ose 2004, Michael Schumacher më dha një Harley-Davidson të bukur, të cilin ende e përdor kur bëj disa xhiro në rrugë të caktuara,” – rrëfeu 74-vjeçari.

Ish-presidenti i “Kokëkuqes” pranoi gjithashtu se kishte reaguar dhunshëm kur pilotët e Ferrarit humbën Botërorin, në Brazil 2008 dhe Abu Dhabi 2010.

“Garat i ndiqja i vetëm. Kam thyer dy televizorë. Njërin, kur Massa humbi Kupën e Botës, një gjë unike në botë. Pam! E shkatërrova me një shpërthim. Tjetrin, kur me Alonson humbëm Kupën e Botës në Abu Dhabi në vitin 2010.”


Shtuar 21.10.2021 20:31