Thaçi këmbëngul për ushtrinë: Do e bind NATO-n dhe SHBA-të
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka këmbëngulur se do ta vazhdojë nismën dhe iniciativën e tij për formimin e Ushtrisë së Kosovës, deri në finalizimin e saj, edhe pse NATO dhe SHBA-të kanë paralajmëruar disa herë pasojat për formimin e saj.

Lidhur me fuqitë e mëdha, Thaçi ka thënë se SHBA-të dhe NATO kanë rëndë dakord për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës që në vitin 2014 dhe se tashmë nisma për formimin e ushtrisë ka mbështetjen dhe vullnetin e 2 milionë qytetarëve të Kosovës, përcjell "Konica.al".

Formimi i Ushtrisë së Kosovës është penguar edhe nga Lista Srbska, por presidenti Thaçi ka deklaruar se 25 prej tyre në parlamentin e Kosovës në vitin 2014, kanë qenë të zotuar të votojnë për themelimin e FAK-ut, por ka pasur mekanizma politikë nga komuniteti shqiptar që nuk ishin të gatshëm të pajtoheshin me të drejtat e rezervuara për 5 vende shtesë në kuvendin e Kosovës për to, por që ka qenë faji i Kosovës e cila nuk ka qenë gati.

"Ndërsa tani jemi peng të refuzimit të plotë të Listës Srpska. Në fakt, duhet të bëjmë dallimin mes qëndrimit të deputetëve serbë sepse janë njerëz të mirë, korrektë, konstruktivë, të përgjegjshëm.

Kam biseduar me ta veç a veç, në grupe të përbashkëta, me të gjithë bashkë, dhe shprehin vullnet të mirë që të hyjnë në proces, mirëpo problemi qëndron në Beograd.

Serbia refuzon dhe urdhëron deputetët serbë që të mos votojnë ushtrinë e Kosovës. Njëri prej tyre e tha shumë hapur: 'Më lehtë kemi pranuar pavarësinë e Kosovës se pranimin e themelimit të ushtrisë së Kosovës", ka thënë presidenti.

Thaçi ka shtuar se Kosova nuk mund të mbetet peng i krizave të Ballkanit, nëse Bosnjë- Hercegovina është e bllokuar nga nacionalizmi serb, atëherë natyrisht që gjërat janë të ndërlidhura edhe në rajonin tonë, por pse ta paguajmë çmimin ne?

"Nëse Serbia e ka rrit nacionalizmin e vet, zhvillon një fushatë elektorale kryekëput nacionaliste, nëse Serbia ka hapur mendje, shpirt dhe gjithçka çka ka për prezencën ruse, pse Kosova të paguajë çmimin? Nëse Mali i Zi pengohet nga Serbia për t'u antarësuar në NATO, që e gjithë Kosova e mbështet fuqishëm Malin e Zi për anëtarësim, pse Kosova të paguajë çmimin?

Nëse Shqipëria ka problemet e veta politike, pse Kosova të paguajë çmim? Nëse Maqedonia me fajin e vet është bllokuar politikisht dhe i ka të ndera raportet ndëretnike, pse Kosova të paguajë çmim?

Kosova është e zonja e vetes, merr vendimet vetë, është vend sovran dhe ne nuk duam asgjë, as më pak, as më shumë, vetëm të kemi ushtri sikur vendet e tjera të rajonit.

Sepse askush nuk pranon në NATO me zjarrfikës, shoqatë të gjuetarëve apo ndonjë shoqatë tjetër, ku ta di, për shembull të peshkatarëve.

Kjo mua më dhemb, sepse ata janë qytetarët tanë, ata duhet të integrohen në institucione. Tjetër dëshiroj të shpall përpara jush dhe përmes jush, për tërë opinionin: Serbia ka plan për ndarjen e Kosovës, ka plan për aneksimin e Kosovës. Të njëjtin model që ka bërë Rusia Krimenë", ka thënë ai.

Në fund, kreu i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se çështja e ushtrisë është e pandalshme dhe se do të realizohet suksesshëm dhe se për këtë do e bindë NATO-n dhe SHBA-të /albeu.com/


Shtuar më 19/03/2017, ora 08:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori