Thaçi:Nuk diskutuam për Veselin në krye të PDK-së
Partia Demokratike e Kosovës bashkë me antarët e saj, është mbledhur për të tretën ditë me radhë sonte, për të zhvilluar një mbledhje me dyer të mbyllura, duke mos lejuar pjesëmarrjen e medieve për të përcjell zhvillimet që po ndodhin brenda subjektit më të madh në vend.

Ndryshe nga dje ku krerët e partisë më të madhe në vend u mblodhën në hotel “Emerald” sonte ata e zhvilluan këtë takim në selinë e PDK-së që gjendet në qendër të Prishtinës.

Menjëhere pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, kryetari i saj, e njëherësh edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dha një prononcim për media, ku deklaroi se në këtë mbledhje nuk u diskutua për zgjedhjen e tij si president i Kosovës, e as mundësinë e kandidimit të Kadri Veselit si kryetar të kësaj partie, pasi që ai të bëhet president.

“Nuk është diskutuar për këto çështje. Partia Demokratike e Kosovës do ta respektojë në tërësi marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partnerët e tjerë të koalicionit. PDK ka një lidership shumë të fuqishëm, të organizuar, gjithashtu me një kuadër shumë të fuqishëm politik në kuadër të Republikës së Kosovës, me një program, agjendë dhe vizion të qartë, prandaj është në një rrugë shumë të mirë në kuadër të vazhdimit të reformave të brendshme edhe në parti për suksese të reja. Por, është një situatë krejt e zakonshme, e avancuar dhe shumë e suksesshme”, tha Thaçi.

Për mediat ai u shpreh se kjo mbledhje ishte e rregullt dhe vazhdim i mbledhjeve të ditëve të fundit, dhe se ajo është në kuadër të domosdoshmërisë për një dialog ndërinstitucional por edhe ndërpartiak, në të njëjtën kohë për vazhdimin e agjendës shtetërore në Kuvend por edhe në Qeverinë e Kosovës.

Ai gjithashtu bëri të ditur se kanë biseduar për hapat e mëtutjeshëm të mobilizimit të PDK-së.

“Diskutuam edhe për hapat e mëtutjeshëm të mobilizimit të Partisë Demokratike të Kosovës në kuadër të ristrukturimit, por edhe të një rimobilizimit të fuqisë elektorale të Partisë Demokratike të Kosovës si partia e parë në vend, si partia më e fuqishme, si partia fituese në zgjedhje dhe në kuadër të Rinisë Demokratike dhe Gruas Demokratike, por edhe në kuadër të gjithë PDK-së, në mënyrë që t’i japim përgjigje çdo situate dhe rrethane të krijuar”, u shpreh ai.

Kjo është hera e tretë që Kryesia e PDK-së mblidhet gjatë kësaj jave, por që diskutimet në mbledhje janë mbajtur fshehtë nga publiku./Albeu.com/
Shtuar më 14/01/2016, ora 19:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori