Thaçi takon krerët e institucioneve të drejtësisë, diskutohet parandalimi i COVID 19 në burgje
Presidenti i Republikës së
Kosovës, Hashim
Thaçi, ka takuar sot udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar për rrezikun e përhapjes së virusit COVID-19 në
institucionet e Shërbimit Korrektues të
Kosovës dhe gjetjes së një zgjidhjeje ligjore për ta penguar përhapjen në këto institucione.
Në këtë takim ishin drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat
Thaçi, kryetari i
Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryetari i
Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, kryetarja e
Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.
Presidenti Thaçi u shpreh se ndonëse është lajm i mirë që ende nuk ka raste të infektimit me coronavirus në
institucionet korrektuese, megjithatë duhet marrë çdo hap që të parandalohet kjo.
“Është në pyetje shëndeti i qytetarëve dhe është me rëndësi që
institucionet e Republikës së
Kosovës të kujdesen për çdo qytetar dhe të gjejnë zgjidhje për çdo qytetar, në përputhje me ligjet në fuqi”, u shpreh
presidenti Thaçi.
Në takim u diskutuan hapat që duhet të ndërmerren nga
institucionet përkatëse dhe u theksua që në kërkim të një zgjidhjeje sa më shpejt të përfshihet edhe Kuvendi i
Kosovës dhe mekanizmat e shëndetit publik.
Shtuar më 15/04/2020,
ora 12:34