Update- Këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar sot në Bruksel se marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e mundshme nëse do të ketë tërheqje nga propozimi i cili është në tavolinë dhe ka theksuar se “bashkësia e komunave serbe do të ketë kompetenca ekzekutive, veçanërisht sa i përket çështjes së policisë”.
“Thaçi në vazhdimësi po manipulon dhe po flet të pavërteta sa i përket përmbajtjes së marrëveshjes”, ka thënë Gjuriq para fillimit të raundit të 10-të të dialogut në Bruksel.
............
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke hyrë në ndërtesën ku po mbahen takimet në Bruksel, ka shfaqur shpresën që raundi i dhjetë i bisedimeve të jetë përfundimtar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, nën udhëheqjen e kryeministrit serb, Ivica Daçiq, takohen me kërkesën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit
Evropian, Catherine Ashton, për t'i dhënë edhe një mundësi marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
“Shpresoj që edhe Serbia ka reflektuar dhe do ta pranojë sot marrëveshjen, në mënyrë që të pajtohemi në parim”, u ka thënë Thaçi gazetarëve.
Sipas tij, marrëveshja do të mundësonte lëvizje të lirë te njerëzve dhe mallrave, si dhe zhbërje të strukturave të paligjshme serbe në veri.
Siç njofton “Evropa e Lirë”, ai tha se sistemi i policisë dhe drejtësisë do të jenë një sistem unik, sipas ligjeve të Kosovës, ndërsa Asociacioni i komunave serbe, tha
kryeministri i Kosovës, s’do të ketë rol legjislativ, ekzekutiv apo të pushtetit të tretë.
Sipas tij, Kosova është në proces të sigurt për anëtarësim në Bashkimin
Evropian, NATO, OSBE dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. /albeu.com/
Shtuar më 19/04/2013,
ora 15:00