DETAJET/ Mallakastër, nipi i shtëpisë rrëmbeu dhe mbyti në rezervuar 50-vjeçaren

Detaje të frikshme janë zbuluar nga ngjarja makabre në Mallakastër ku tre të rinj hajdutë, lidhën, rrëmbyen dhe e hodhën në rezervuar të zonjën e shtëpisë që donin të vidhnin.

Policia e Shtetit ka dhënë detajet e para për ngjarjen e rëndë që mori jetën e një gruaje në fshatin e Gjerbës në Mallakastër.

Mësohet se në vrasjen e 50-vjeçares Drita Saliaj, ka gisht nipi i bashkëshortit të saj.

Trupi i saj i pajetë është gjetur sot nga policia dhe polumbarët e RENEA-s në rezervuarin e fshatit.

Dyshohet të jetë vrasje nga tre të rinjtë që shkuan në shtëpinë e saj për të grabitur, por ajo i pikasi.

Për tu ruajtur, ata vendosin ta rrëmbenin dhe thuhet se mund ta kenë vrarë. Pas denoncimit të familjarëve, policia arrestoi tre persona.

“Pas hetimeve të kryera rezultoi se nipi i shtetases së humbur (djali i vëllait të burrit), në bashkëpunim me 2 shokë të tij, në datën 05.01.2020 kanë shkuar për të vjedhur në banesën e 50-vjeçares dhe pas rezistencës të hasur nga kjo e fundit, e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës”, njofton policia.

Tre të dyshuarit, të akuzuar për vrasje janë: L. S., 16 vjeç, banues në Gjerbës, S. Sh., 16 vjeç, banues në Çërrillë, dhe E. Z., 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë:

Policia zbardh në kohë rekord ngjarjen e ndodhur në datë 05.01.2020 në fshatin Gjerbës. Arrestohen 3 shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes së 50 vjeçares Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Komisariatin e Policisë Mallakastër janë paraqitur familjarët e shtetases D. S, 50 vjeçe, të cilët denoncojnë largimin nga banesa të 50-vjeçares.

Pas marrjes së denoncimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër në bashkëpunim me strukturat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier organizuan punën dhe në kohë rekord zbardhën ngjarjen. Pas hetimeve të kryera rezultoi se nipi i shtetases së humbur( djali i vëllait të burrit), në bashkëpunim me 2 shokë të tij, në datën 05.01.2020 kanë shkuar për të vjedhur në banesën e 50-vjeçares dhe pas rezistencës të hasur nga kjo e fundit, e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës.

Në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes, nga shërbimet e policisë Mallakastër dhe Polumbarët e Repartit Special Renea u gjet në rezervuar trupi i pajetë i shtetases D. S. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan shtetasit: L. S., 16 vjeç, banues në Gjerbës,.S. Sh., 16 vjeç, banues në Çërrillë, dhe E. Z., 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme.


Shtuar 7.01.2020 16:37