Thaçi: Rajoni destabilizohet nëse s'ka marrëveshje Kosovë-Serbi
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në fjalën e tij hyrëse në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë se përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht obligative që nënkupton njohje reciproke, është interes nacional i Kosovës, prandaj është e domosdoshme që të jemi unikë në këtë proces.

“Ne duam që një herë e përgjithmonë ta qartësojmë raportin tonë si shtet me shtetin e Serbisë, gjë që mund të arrihet vetëm përmes një dialogu që do t’i ketë afatet kohore të qarta, objektivat precize, garancat dhe mbështetjen ndërkombëtare, në radhë të parë të SHBA-së dhe BE-së. Nuk kam kurfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojë gjithë rajonin”, ka thënë presidenti Thaçi, transmeton Indeksonline.

Ai ka theksuar se fatkeqësisht situata dhe zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese dhe gjërat nuk po lëvizin fare.

“Përkundër inciativave të fundit për ta zhbllokuar dialogun, rezultati është zero. Mungesa e dialogut dhe e perspektivës së arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është rreziku më i madh i mundshëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, ka thënë ai.
Shtuar më 24/06/2019, ora 10:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori