Thaçi përsëri shkon te varri i Rugovës, dikur e quante tradhtar
Pëlqej
Sa ishte gjallë, Ibrahim Rugova ia pati pamundësuar Hashim Thaçit të bëhej Kryeministër. Tek pas vdekjes së Rugovës, Thaçi kishte arritur të merrte pozitën e Shefit të Qeverisë. Pavarësisht kësaj, Presidenti aktual vazhdon t’i shkojë te varri për ta nderuar ish-kundërshtarin politik. Dikur Thaçi kërcënonte Rugovën se do të dënoheshin rëndë veprimet e tij antikombëtare.
Për çdo përvjetor të vdekjes, Hashim Tashi, tanimë president i Kosovës, i shkon te varri presidentit historik Ibrahim Rugovës.

Thaçi, kështu ka bërë edhe sot për përvjetorin e 12’të të vdekjes së Rugovës, ku së bashku me disa pjesëtarë të kabinetit të tij kanë kryer homazhe pranë varrit të ish’presidentit. Nuk raportohet nëse Thaçi ka shkuar tek familja e Rugovës pas homazheve.

Thaçi në një postim në Facebook, sot ka thënë fjalë të mira për presidentin historik, Ibrahim Rugovën. Por, dikur, ish-lideri i UÇK-së, Hashim Thaçi, e cilësonte krejtësisht me fjalë tjera presidentin e ndjerë të Kosovës.

Më 16 maj të vitit 1998, përmes një marrëveshjeje të arritur nga SHBA-ja, presidenti Rugova ishte dërguar në Beograd për të takuar kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, Pas këtij takimi, Thaçi kishte lëshuar një deklaratë për media, duke e gjykuar ashpër këtë takim, duke thënë se takimi, “vullnetar apo i imponuar, po e shkatërron seriozisht kauzën kombëtare”.

Kishte thënë se udhëtimi i Rugovës në Beograd dhe shtrëngimi i duarve me kreun e kriminelëve Millosheviq është sulm direkt kundër luftës së popullit të Kosovës, kundër NATO-s, kundër SHBA-ve dhe kundër Grupit të Kontaktit.

E sot Thaçi thotë se Rugova brenda një periudhe dhjetëvjeçare udhëhoqi një politikë të rezistencës paqësore me orientim nga vlerat perëndimore.

“Brenda një periudhe dhjetëvjeçare udhëhoqi një politikë të rezistencës paqësore, duke shprehur vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, me orientim nga vlerat perëndimore”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Tutje, presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se po bëjnë nderime institucionale për kontributin dhe angazhimin e tij për liri dhe pavarësi të Kosovës.

“Pas një pune të shquar në fushën e albanologjisë, ai u angazhua politikisht në kohën kur pushteti i Millosheviqit e zhveshi Kosovën nga të gjitha të drejtat politike, administrative dhe kombëtare”, thotë Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se Rugova do të kujtohet gjithnjë si presidenti i parë i Kosovës.

“Pas çlirimit të Kosovës, presidenti Rugova ishte pjesë e të gjitha ngjarjeve dhe vendimeve të konsolidimit të shtetit të Kosovës, deri në momentin e vdekjes”.

Përndryshe, Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.


Shtuar më 21/01/2018, ora 13:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori