Thaçi pas takimit me Hale: Të gatshëm për dialog
Presidenti Hashim Thaci në Facebook ka shkruar se cka ndodhi sot në takimin me nënsekretarin amerikan për Politikë të Jashtme, David Hale.

Postimi i plote

Sot, së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, zhvilluam një takim me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale.

Temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-në. Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona.

Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun.

Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme. HTH
Shtuar më 09/03/2019, ora 11:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori