Thaçi: Paqja dhe pajtimi nuk mund të ndërtohen duke mohuar krimet
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që duke i dal në mbrojtje Igor Todosijeviqit, mohoi edhe njëherë krimin e ndodhur në Reçak të Shtimes.

“Shoh zyrtarë nga Serbia që mohojnë disa nga krimet më të këqija kundër civilëve që ndodhën në Evropë, si në Reçak, të konfirmuara nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë”, shkroi Thaçi në një postim në rrjetin social Twitter.

“Politikat gjenocidale serbe nuk mund të mbrohen. Ata duhet të denoncohen. Paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”, ka thënë Thaçi më tej.

Gjatë ditës për deklaratat e Vuçiqit reagoi edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se “Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit”.

Sipas tij, “urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar”.

Kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, i është përgjigjur po ashtu presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për masakrën e Reçakut të cilin ai e quajti fabrikim ndërkaq ambasadorin William Walker hopshtapler e mashtrues.

Krasniqi përmes një reagimi ka thënë se përmes deklaratave të tilla, Vuçiq i mohon të gjitha krimet që ka kryer Serbia në Kosovë.

“Kur krimineli e ‘hohshtapleri’ Vuçiq e deklaron ketë për Reçakun, e sidomos për V. Walker-in, ai në fakt e mohon të gjitha krimet e gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ndërsa, ai në krahasim me Ambasadorin Walker, si njeri është shekuj drite prapa diplomatit njeri, mbase edhe nuk mund të krahasohet fare me asnjë njeri tjetër”, ka thënë ai.

Ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, u dënua sot me dy vjet burgim. Me akuzat për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, Todosijeviqi është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

E derisa vetë Todosijeviqi nuk ishte për të dëgjuar aktgjykimin, kryetari i trupit gjykues ka bërë të ditur se ekzekutimi i dënimit me burg do të bëhet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i zyrtarëve në Beograd për këtë dënim.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është referuar masakrës së Reçakut si trillim i bërë nga William Walker.

“Është e tmerrshme. Ivan Todosijeviq një serb i ndershëm nga Zveçani u dënua me 2 vjet burgim sepse atë çfarë ndodhi në Reçak e quajti krim të fabrikuar. Dhe, ja e them edhe unë – ajo në Reçak ishte krimi i fabrikuar, që të gjitha i inskenoi ai idioti e mashtruesi global, Walker, nuk di a ka ndonjë emërtim tjetër për të. E përsëris çdo ditë këtë për të parë nëse do të na dënojnë e nëse do të bëjnë diçka tjetër vetëm pse nuk u pëlqen e vërteta”, ka thënë Vuçiq.

E për këtë dënim ka reaguar edhe kryetari Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka thënë se nëse edhe Gjykata e Apelit e vërteton këtë dënim, atëherë ai do të kërkojë që të gjithë serbët të cilët punojnë nëpër institucione, t’i lëshojnë vendet e tyre të punës.
Shtuar më 05/12/2019, ora 22:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori