Festat në Berat e Korçë, policia bën thirrje: Jemi gati, kemi instaluar radarë, dronë e kamera! (VIDEO)

Shefi i Sektorit për Sigurinë Rrugore në Drejtorinë e Policisë Rrugore, Skënder Ismaili të premten në një deklaratë për mediat komunikoi planin e masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë, në dy aktivitete masive në Malin e Tomorrit për festën fetare dhe në Korçë për festën e Birrës.

Ismaili theksoi se në këtë kuadër, Policia Rrugore ka rritur prezencën e saj në rrugë, me patrulla të lëvizshme të pajisura me mjete të paloguara, me alkooltestues, me kamera, dronë e aparate forografik.

“Në këtë kuadër, Policia Rrugore ka rritur prezencën e saj në rrugë, me patrulla të lëvizshme të pajisura me mjete të paloguara, me alkooltestues, me kamera, dronë e aparate forografik.

Gjithashtu në akset kryesore Lushnjë-Skrapar dhe Elbasan-Korçë, janë instaluar radarë në pika të ndryshme me qëllim parandalimin e shpejtësisë tej normave të lejuara, që sjell për pasojë përfshirjen në ngjarje rrugore të atyre drejtuesve të mjeteve që abuzojnë me shpejtësinë, duke rrezikur edhe jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës.

Njëkohësisht, patrullat e lëvizshme në këto akse, po ushtrojnë dhe do intensifikojnë kontrollet duke përdorur alkooltestuesit, me qëllim parandalimin e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Nisur nga fluksi shumë i madh përgjatë gjithë sezonit turistik, e më i shtuar përgjatë fundjavave, Policia Rrugore ka instaluar radarë duke filluar nga Rruga e Kombit, Lezhë, Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Sarandë e Gjirokastër dhe ka rritur prezencën e patrullave rrugore të lëvizshme në këto akse, por edhe në qëndrat urbane.

Policia Rrugore nuk është në aksion, por në përmbushje të detyrës që ka dhe nuk ka për qëllim shtimin e sasisë së masave administrative, pasi përditë po informojmë për prezencën e radarëve dhe të Policisë, në të gjitha akset rrugore, qëllimi jonë dhe i shumicës së përdoruesve të rrugës është parandalimi i aksidenteve rrugore me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetes në rrugë”, tha ai.

Ismaili theksoi se Policia Rrugore, apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të mos qarkullojnë me shpejtësi që cënon sigurinë e jetës në rrugë pasi do përballen në çdo rrugë me radarët e Policisë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, se me ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor nuk lejohet në asnjë masë përdorimi i alkoolit por duke filluar nga 0.01 mg/l fillojnë penalitetet të cilat vijojnë sipas masës së konsumimit të alkoolit, deri në pezullim te lejes së drejtimit dhe me arrest, kur drejton mjetin në gjëndje të dehur.

“Të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit apo kaskë mbrojtëse, drejtuesit e motomjeteve të qëndrojnë në radhë ku ka ngadalësim të lëvizjes dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.

Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini në destinacion të sigurt dhe me leje drejtimi në xhep.
Policia Rrugore falënderon qyetarët që duan rregullin dhe ligjin, duke denoncuar çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton sërisht që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.

Policia ju uron gëzuar festat dhe fundjavë të mbarë e të sigurt duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor”, apelon policia.


Shtuar 20.08.2021 16:45