Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duket se është shumë me fat. E ardhur “rastësisht” në krye të shtetit, ajo mund të qëndrojë në karrigen e të parit të vendit, deri në
vitin 2013, nëse realizohet ideja e kryeministrit Hashim Thaçi, që zgjedhjet
presidenciale të mbahen bashkë me ato parlamentare pas dy vjetësh.
Disa nga subjektet
politike kërkojnë që zgjedhjet për numrin një të vendit të mbahen
vitin tjetër, ashtu siç ka qenë marrëveshja e ndërmjet tre liderëve politikë (Thaçi, Mustafa dhe Pacolli), në prill të këtij viti. Sipas marrëveshjes, zgjedhjet
presidenciale duhet të mbahen jo më larg se 9 muaj pas ndryshimeve kushtetuese, shkruan Zëri.
Po ashtu bashkëpartiaku i Thaçit, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe subjektet
politike të taborit opozitar tashmë edhe zyrtarisht deklarohen se janë kundër shtyrjes së
zgjedhjeve presidenciale për
vitin 2013.
Numri një i Kuvendit rikujtoi se për shtyrjen eventuale të
zgjedhjeve presidenciale për
vitin 2013, përveç se nevojitet pajtimi i gjitha partive
politike, duhet të respektohen marrëveshjet e arritura, por edhe të respektohen afatet ligjore e kushtetuese.
Megjithatë, ai ka thënë se iu takon partive
politike të deklarohen nëse janë për zbatimin e Rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Kosovës për këtë çështje. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk ka parapëlqyer që të deklarohet nëse do të kandidojë për president të Kosovës, duke e lënë të hapur këtë mundësi.
Ndërkaq, drejtuesit e LDK-së zyrtarisht janë shprehur në favor të mbajtjes së
zgjedhjeve presidenciale në
vitin 2012, ashtu sikurse parashihet në marrëveshjen e arritur mes PDK-së, LDK-së dhe AKR-së.
Sekretari i kësaj partie, Ismet Beqiri ka rikujtuar se palë e marrëveshjes nuk është vetëm kryeministri Thaçi, por janë edhe palët tjera të përfshira në këtë proces. “Për LDK-në, po e përsëris nuk ka ndryshim apo shmangie nga marrëveshja e arritur, ngase palë e kësaj marrëveshjeje nuk ka qenë vetëm Thaçi, por edhe LDK-ja, e AKR-ja, ku garant ka qenë edhe ambasadori amerikan, Christofer Dell”, ka thënë Beqiri.
Mirëpo, për partinë e Ramush Haradinajt, tre liderët e partive
politike Thaçi, Mustafa dhe Pacolli, që janë pjesë e marrëveshjes, po sillen në mënyrë joserioze rreth afatit të mbajtjes së
zgjedhjeve presidenciale.
Ahmet Isufi , nënkryetar i AAK-së, ka vlerësuar se subjektet
politike që janë pjesë e marrëveshjes po i luajnë afatet për mbajtjen e
zgjedhjeve presidenciale. “Joserioziteti po e përcjell skenën
politike të Kosovës, duke mos respektuar edhe marrëveshjet e arritura dhe duke mos i respektuar afatet”, ka thënë deputeti Isufi.
Sinjalet e kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, për mbajtjen e
zgjedhjeve presidenciale në vjeshtën e vitit 2013, së bashku me ato parlamentare i ka përforcuar edhe më shumë shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai ka thënë se partia e tij gjithmonë zbaton marrëveshjet, por edhe nuk mbetet rob i tyre, nëse diçka e tillë është në interes të qytetarëve të Kosovës.
Deri më tani jozyrtarisht janë lakuar disa emra të mundshëm që mund të kandidojnë për postin e presidentit të vendit, sikurse është përmendur emri i Behxhet Pacollit, Fatmir Sejdiut, Veton Surroit, Sabri Hamitit...etj, derisa kandidaturën e ka konfirmuar ish-gazetari, Seremb Gjergji.
Shtuar më 15/11/2011,
ora 10:48