Thaçi në Bruksel: Kosova ka islam evropian që promovon tolerancë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur në publik në “Këshillin Evropian për Punë të Jashtme” (EFCR), ku ka cekur të arriturat dhe sfidat e Kosovës dhe të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Nuk ka dyshim që Bashkimi Evropian është në një udhëkryq të madh. BREXIT, vala e refugjatëve nga Azia dhe Afrika, ekspansioni i ri rus që ka shkaktuar krizat si ajo në Ukrainë, kërcënimet që vijnë nga radikalizmi – politik dhe fetar, terrorizmi… lista e shqetësimeve është bukur e gjatë për kontinentin tonë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në ligjëratën e tij në ECFR, presidenti Thaçi gjithashtu shtoi se komunikimi është normalitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe po ashtu tha se tani është koha për një hap të ri të ndërtimit të besimit mes popujve dhe shteteve, por edhe ndërmjet rajonit të Ballkanit dhe BE-së.

“Kosova, si dhe mbarë rajoni, është shumetnike dhe shumfetare. Vërtetë kemi shumicë që i përket fesë islame. Por, është ky një islam evropian, që promovon tolerancë, bashkëjetesën dhe paqen, ashtu siç ka bërë për shekuj të tërë. Kjo vlerë e Kosovës dhe e rajonit, është vlerë edhe për Evropën”, theksoi Thaçi.

“Është e rëndësishme që BE të mbetet e angazhuar në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit. Vonesat e BE-së që t’i shtrijë dorën Ballkanit Perëndimor u hapin rrugë ideologjive të tjera, nacionaliste apo fetare”, shtoi më tej Thaçi. “Kosova është një rrëfim suksesi, por nuk është ende storie e përfunduar. Kemi edhe shumë rrugë për të bërë, por jemi në rrugë të drejtë”./Albeu.com/
Shtuar më 09/06/2016, ora 19:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori