Thaçi: Kosova, histori suksesi
Në pritjen e organizuar nga presidentja e Kosovë, Atifete Jahjaga me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi tha se më 17 shkurt 2008 u themelua shteti i Kosovës me aktin më të lartë historik, juridik dhe politik, me Deklaratën e Pavarësisë.

Ky akt, që kryeministri Thaçi e quan "madhështor, origjinal dhe i papërsëritshëm" i vullnetit të popullit ishte kryevepër e synimeve, idealeve, përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme të gjeneratave të tëra, njofton dukagjini.com.

"Por, këtë akt të jashtëzakonshëm e bëri madhështor fakti që u njoh, u mbështet dhe u përkrah nga shtetet më të rëndësishme të demokracisë botërore. Pesë vjet më parë Kosova tregoi thellësinë dhe qëndresën e saj historike", ka thënë kreu i qeverisë së Kosovës.

Në këtë ditë, kur po shënohet 5 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Thaçi ka shprehur nderim institucional dhe respekt të thellë për nënat, baballarët, motrat, vëllezërit, prindërit, të rinjtë, të rejat, pleqtë dhe fëmijët që ranë për lirinë e Kosovës.

“Nderojmë të gjithë qytetarët që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, u shpreh kryeministri.

Pavarësia e Kosovës, siç u shpreh kryeministri, është kurorëzim i vullnetit gjithëpopullor dhe vizionaritet për realizimin e shtetkrijimit.

"Lufta e drejtë e UÇK-së dhe e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe orientimi vizionar për çlirim bëri që Kosova ta ketë mbështetjen e botës së përparuar dhe demokratike. Bota demokratike e mbështeti Kosovën në krizën më të thellë ekzistenciale, në vitet 1998- 1999. Prandaj, sot, në Pesë vjetorin e Pavarësisë shprehim mirënjohje të thellë për miqtë tanë, SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe gjithë botën demokratike, që ndihmoi dhe përkrahu Kosovën, që vazhdon ta ndihmojë edhe sot", theksoi Thaçi.

Sipas tij, në këtë periudhë 5 vjeçare, Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve.

"Që nga shtatori i vitit që shkoi Kosova hoqi Mbikëqyrjen e Pavarësisë, duke u bërë shtet me përgjegjësi të plotë për veten dhe ardhmërinë e saj. Që nga periudha e pasluftës e deri tani Kosova, nga miqtë e saj, me të drejtë konsiderohet si storje e suksesshme e shtetndërtimit. Kosova ka shënuar rritje ekonomike dhe zhvillim të infrastrukturës, duke përmirësuar standardin e jetesës për të gjitha kategoritë shoqërore. Kosova është njohur nga rreth 100 shtete. Tashme Kosova është anëtare e FMN-së, Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim", ka theksuar Kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, nga lufta e deri më sot, Thaçi tha se Kosova realizoi dy objektiva të mëdha historike: Çlirimin dhe Pavarësinë.

"Kosova mbi të gjitha është shtet që prodhon paqe, fqinjësi të mirë dhe stabilitet në rajon", është shprehur Thaçi.

Ai kujtoi dialogun që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast tha se ky dialog është nisur në kënaqë që "së shpejti Pavarësia e Kosovës të njihet edhe nga ky vend fqinj".

"Kosova është në rrugë për përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në institucionet euroatlantike në BE, NATO, dhe në rrugën drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në Pesë Vjetorin e Pavarësisë të gjithë ne besojnë në realizimin edhe të këtij objektivi! Urime përvjetori i pestë i Pavarësisë së Kosovës! Urime të gjithë juve! Urime qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës", deklaroi Hashim Thaçi. /albeu.com/
Shtuar më 17/02/2013, ora 10:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori