Leonardo telefonon Taren, ofron 60 milion euro për yllin e Lazios

Sergei Milinkovic-Savic kërkohet nga klube të shumta në Europë, ndërsa së fundi Paris Saint Germain ka bërë një tjetër hap për të mundësuar transferimin e tij në kryeqytetin francez.

Kështu Leonardo ka telefonuar homologun e tij te Lazio, Igli Tare dhe i ka shprehur gatishmërinë për të paguar 60 milionë euro kesh për kartonin e mesfushorit serb, shifër kjo e konsideruar e ulët nga pala bardhekaltër.

Kjo pasi presidenti Lotito kërkon 100 milionë euro për kartonin e Milinkoviç-Savic, ndonëse e ka të qartë që në kushtet e krizës së shkaktuar nga pandemia, nuk do të ketë mundësi të përfitojë njësoj.

Në ditët në vijim priten kontakte të tjera mes palëve, pasi klubi i Lazios kërkon të marrë kohë dhe njëkohësisht të mos shpërqendrojë mesfushorin në këtë fazë finale të sezonit, ku do të provohet triumfi në kampionat.


Shtuar 14.06.2020 11:55