Thaçi i thotë "komandant" njeriut që iu fsheh drejtësisë
Presidenti Hashim Thaçi është takuar sot me ish-bashkëpartiakun e tij, Xhabir Zharkun, pas shatë vitesh, pasi që ky i fundit i kishte ikur drejtësisë kosovare dhe kishte jetuar për një kohë të gjatë në Suedi.

Ky takim mes tyre ka ndodhur në një akademi përkujtimore të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Xheladin Kurtaj”, në qytetin e Kaçanikut.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni kanë qenë edhe zyrtarë të lartë të tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Thuhet se pas fjalimit që mbajti ish-kru i Kaçanikut, Thaçi është dëgjuar teksa e ka thirrur me zë të ulët ‘komandant’.

Ndryshe, Xhabir Zharku ishte larguar nga Republika e Kosovës që nga 21 prill 2011, pasi Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur atë fajtor për kryerjen e veprave penale “Të detyrimit” dhe “Të posedimit të paligjshëm të armës”.

I njëjti ishte dënuar me tre vjet burgim dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 1,500 eurosh.

Çështja kishte të bënte me një rast të vitit 2006, kur ishte privatizuar nga ish-AKM-ja një fermë e deleve në fshatin Rakaj, të Ferizajt.

Sipas Prokurorisë, të dëmtuarit në këtë rast, Xhelil dhe Emrush Suma, kishin qenë fitues të tenderit si ofertues të parë. Mirëpo pas kërcënimeve nga të akuzuarit në fjalë, fituesit ishin detyruar të tërhiqeshin për ta fituar atë tani i dënuari Arsim Kolshi, i cili kishte qenë ofertuesi i dytë.

Vlen të theksohet se Xhabir Zharku për afro 7 vite qëndroi në Malmo të Suedisë, ku edhe ka një pjesë tjetër të familjes.
Shtuar më 02/04/2019, ora 16:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori