Thaçi fton opozitën ta mbështesë dialogun me Serbinë
Hashim Thaci
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përshëndeti fillimin e dialogut me Serbinë. Ai kërkoi që ky proces të mbështetet edhe nga opozita dhe shoqëria civile. Në prag të seancës së të enjtes, ku Kuvendi ka në agjendë miratimin e një rezolute për bisedimet, pozita dhe opozita të mërkurën nuk arritën t’i harmonizojnë qëndrimet rreth tekstit të draft-rezolutës dhe u vendos që një takim ndërmjet tyre të mbahet edhe nesër, para fillimit të punimeve të Kuvendit.

Kryeministri Thaçi e cilësoi fillimin e dialogut me Serbinë si pjesë të agjendës së integrimeve euroatlantike për të dyja vendet. Ai tha se bisedimet po zhvillohen ndërmjet palëve të barabarta dhe me lehtësimin e BE-së, ku rolin e vet e kanë edhe Shtetet e Bashkuara. Në këtë aspekt, Thaçi kërkoi edhe mbështetjen e Kuvendit, si dhe ftoi partitë opozitare që të përfshihen në grupet punuese që Qeveria tashmë po i krijon.

“Ne duam dhe do të punojmë që të kemi punë të përbashkët, në ekipe të përbashkëta me gjithë spektrin politik, edhe opozitën, edhe shoqërinë civile. Prandaj, ne do të jemi shumë fleksibilë për të punuar e bashkëpunuar me të gjithë, për të garantuar një sukses të këtij dialogu”, tha Thaçi, njofton Radio Evropa e Lirë.

Në përpjekje që Kuvendi i Kosovës t’i harmonizojë qëndrimet karshi këtij dialogu, shefat e grupeve parlamentare u takuan të mërkurën për harmonizimin e qëndrimeve në prag të seancës së nesërme ku është paralajmëruar miratimi i një rezolute për dialogun me Beogradin.
Shtuar më 09/03/2011, ora 18:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori