Thaçi ftesë Mustafës: Eja ta bashkojmë Kosovën me Shqipërinë
Hashim Thaçi ka kërkuar aleancë me Isa Mustafën për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Ka përsëritur edhe idenë për ndryshim kufijsh duke kërkuar bashkimin e Luginës me Kosovën. S’dihet nëse këto deklarime Presidenti po i bën si pjesë e ndonjë fushate elektorale apo vetëm po tenton të kërcënojë BE-në që e ka bllokuar Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar aleancë nga Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Ka kërkuar përkrahjen e ish-Kryeministrit edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Këto komente Thaçi i ka bërë një ditë pasi Isa Mustafa e këshilloi publikisht ish-Shefin e PDK-së që të mos shahet me Sali Berishën dhe të harrojë projektin e ndryshimit të kufijeve.

“Në përpjekje për arritjen e këtij qëllimi, unë kërkoj miq dhe aleatë. Unë dua që ju z. Mustafa, të jeni në krah me mua. Të tjerët që hezitojnë sot duhet ta mendojnë mirë këtë çështje, por mos të vonohen shumë”, ka shkruar Thaçi, në një reagim në FB.

“Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë”, ka shtuar ai.

Thaçi ka thënë se s’ka asnjë të keqe pse po japin mendime të ndryshime me Sali Berishën derisa i është rikthyer idesë së tij për ndryshim kufijsh.

“Korrigjimi i padrejtësive ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve është përkushtimi im i pandalshëm. Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyllë dyert e saj për ne”, ka shtuar ai.

Hashim Thaçi e ka falënderuar Isa Mustafën për këshillat dhe në të njëjtën kohë ka thënë se Lideri aktual i LDK’së, edhe para 20 vitesh, e ka parë të pamundur çlirimin e Kosovës.

“Ju z. Mustafa dhe shumë të tjerë mund të më këshilloni. Kjo më bën më të fortë në punën time drejt qëllimit final. Ndoshta ju mendoni se unë jam i vetëm sot në këtë mision, i cili për ju dhe disa të tjerë duket i pamundur. Por, mos të harrojmë se vetëm 20 vjet më parë edhe liria dhe pavarësia jonë janë dukur të pamundura”, ka shtuar ai.

Isa Mustafa, një ditë më parë, tha se duhet të ndalen përplasjet e Thaçit me Sali Berishën derisa Kosova dhe Shqipëria duhe të vendosin si të pavarura.

“Presidentit Thaçi ia kam thënë edhe personalisht dhe e ka thënë gati tërë Kosova, publikisht, se diskursi i tij politik për korrigjim të kufijve është i shumë i gabueshëm dhe i papranueshëm. Ai duhet të korrigjohet. Nëse jo do ta ketë veten në qafë, jo të tjerët. Prandaj kot shahemi e ofendohemi, sepse një zgjidhje e tillë nuk kalon, ajo është e papranueshme. Dhe kjo duhet të na mjaftojë”, ka shkruar Mustafa të shtunën.

Kosova dhe Shqipëria duhet të respektohen në mënyrë të ndërsjell. Sa u përket punëve tona, ne i dimë ato më mirë sesa Shqipëria; dhe Shqipëria i di punët e veta më mirë sesa Kosova. Por ne kemi nevojë të ndihmojmë njëri tjetrin dhe të bashkëpunojmë mbi baza të barabarta dhe të respektit reciprok”, ka shtuar ai.
Shtuar më 26/05/2019, ora 16:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori