Thaçi flet me gjuhën e Vuçiçit: Kosova përgjegjëse për anulimin e Samitit të Parisit
Presidenti Hashim Thaçi sheh Kosovën përgjegjëse për dështimin e Samitit të Parisit.

Pa përmendur emra, Thaçi tha se mungesa e koordinimit të Kosovës ka dëmtuar raportet me ndërkombëtarët.

“Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën. Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar Thaçi, në një reagim në Fb.

Ai shton se Kosova po bëhet përgjegjëse nga ndërkombëtarët edhe për dështimet e Samiteve, atij të Berlinit dhe të Parisit.

“Dështimi i procesit të filluar në Berlin dhe anulimi i Samitit të Parisit, duhet të jetë moment reflektimi për akterët vendorë dhe faktorët ndërkombëtarë udhëheqës dhe mbështetës të procesit të dialogut për normalizim dhe pajtim mes shteteve dhe popujve tanë. Ngërçi në dialog dhe anulimi i Samitit të Parisit për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, shënon hap prapa për të ardhmen evropiane. Prandaj, i bëj thirrje BE-së dhe SHBA-së që të mos i ndalin përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes paqësore”, ka shtuar ai.
Shtuar më 22/06/2019, ora 14:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori