Thaçi e pranon: Po përjetojmë kohëra të vështira, mos heshtni
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën “Feja si instrument për paqen” e mbajtur në Tiranë, është shprehur se shoqëria po përjeton kohëra të vështira dhe asnjë nuk ka të drejtë të heshtë. Kreu i shteti kosovar tha se të gjithë duhet të shfaqin idetë e veta për rrëmujën politike dhe historike të krijuar.

“Po përjetojmë kohëra të vështira, problematike, sfiduese dhe asnjëri prej nesh nuk ka të drejtë heshtë, të mos shfaqë idetë e veta për këtë rrëmujë politike dhe historike, të mos kërkojmë me ngulm mëkëmbjen e tolerancës së gjithanshme si vlerë themelore të fesë dhe të paqes”, ka thënë Thaçi. Ndërsa u shpreh se kombi shqiptar është shembull pozitiv i tolerancës fetar.

Thaçi theksoi se kjo vlerë tradicionale duhet të ruhet dhe pasurohet çdo ditë. “Kombi shqiptar në këtë aspekt ka dhënë sot e kësaj dite dhe jep shembull pozitiv, shumë të mirë dhe të qëndrueshëm, shqiptarët janë të besimit mysliman dhe të krishterë, janë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë por me shumë mundësi ka edhe ateistë.

Por tërë kjo shumë mundësi identitetesh në raport me Zotin ka bashkëpunuar në tolerancë dhe mirëkuptim që është një vlerë tradicionale ndër ne. Duhet të ruhet dhe pasurohet çdo ditë”, ka thënë tutje presidenti kosovar. Kjo konferencë është organizuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit të SHBA-së në Tiranë. Në këtë konferencë po marrin pjesë udhëheqës të shteteve të rajonit dhe udhëheqës të bashkësive fetare nga e tërë bota.
Shtuar më 18/11/2019, ora 11:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori