Tetëshja diplomatike e Kosovës
Ish-drejtuesi i kompanisë më të suksesshme kosovare - IPKO, Akan Ismajli, shumë shpejt do të jetë përfaqësues diplomatik i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Përveç Ismajlit, në shërbimin diplomatik të Kosovës do të jenë edhe disa emra të njohur dhe të sprovuar në skenën politike të vendit.

Në kryeqendrën evropiane, në Bruksel, Kosovën do ta përfaqësojë ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ndërsa vendin vakant në Shqipëri do ta plotësojë, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sylejman Selimi. Kështu kanë deklaruar burime të “Zërit” brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas këtyre burimeve, në vendin tjetër fqinj, Maqedoninë ambasador do të shkojë, Ylber Hysa, i cili deri më tani ishte si koordinator për implementimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për integrimin e veriut të Kosovës.

Në kuadër të “rokadës” diplomatike, nuk kanë lënë pa përfituar as njerëz të “afërt” me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli. Amir Ahmeti, deputet i Partisë së Drejtësisë, i cili ishte rebeluar për mosmiratimin e Ligjit për futjen e Edukatës fetare në shkollat publike, duke kërcënuar edhe me dalje nga koalicioni, do të “rehatohet” si ambasador i Republikës së Kosovës në Arabi.

Ndërsa ish-deputetit të Aleancës Kosova e Re, Esat Brajshori, i cili kishte mbetur pa “punë” që nga shpërndarja e legjislaturës së kaluar, i është gjetur një vend “pune” si ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Çekisë.

Në Gjermani ndërkaq, në vend të Vilson Mirditës, do të shkojë Skënder Gjakalia, derisa në Bullgari vendin do ta përfaqësojë Shpend Kallaba.
Shtuar më 08/11/2011, ora 12:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori