Lot dhe lule, homazhe drithëruese të LA Lakers për Kobe Bryant

Kujtime, emocione dhe lot. Përpara, gjatë dhe pas ndeshjes kundër Portland, Lakers i kanë bërë homazhet në “Staples Center” Kobe Bryant dhe viktimave të tjera të tragjedisë së 26 janarit. Të pafundme dedikimet e klubit verdhlejla aq sa fjalët nuk mund ta përshkruajnë. Prekëse dhe mallëngjyese fjalët e LeBron James.

“Gjëja e parë që mendoj është kuptimi i familjes, duke parë përqark i shoh të gjithë në zi, po vuajmë, e kemi zemrën të thyer. E vetmja gjë që mund të bëjmë, është të mbështetemi te familja jonë. Ai që ndodhet këtu është pjesë e familjes, si Kobe, Gianna, Vanessa dhe e gjithë familja Bryant, ju falënderojnë nga zemra. Po kujtojmë një djalë që erdhi në moshën 18-vjeçare në këtë klub dhe u largua 38 kur ishte baba. Me shokët e ekipit duam të çojmë përpara trashëgiminë e tij. Nuk do të harrohesh kurrë dhe do të jetosh përgjithmonë vëlla”.

Spikeri i thirri lojtarët me emrin Kobe dhe më pas heshtje për 24 sekonda. Ishte ndeshja e parë e NBA-së që Lakers luanin pas tragjedisë dhe që u transformua në mbrëmje kujtimi. Klubi kishte përgatitur një fanellë për secilin prej 20 mijë spektatorët e pranishëm dhe me mbishkrimin “Bryant”. Gjysma e stadiumit ishte mbushur me fanellën 8, gjysma tjetër me atë 24.

Në buzë të fushës ishin të lira dy stolat ku Kobe dhe Gianna qëndruan bashkë për herë të fundit më 29 dhjetor. Dy fanella për të kujtuar babain dhe të bijën dhe një tufë me trëndafila. Carmelo Anthony nuk mori pjesë në ndeshje për shkak të emocioneve të forta. “Më pate premtuar se do takoheshim në “Staples” për të ndjekur Lakers-Portland”, kishte shkruar ai në rrjetet sociale.


Shtuar 1.02.2020 10:39