Tentojnë të grabisin familjen kosovare
Një familje kosovare i ka shpëtuar paq një grabitjeje nga dy vëllezër kuksianë, të cilët i kishin zënë pritë në autostradën Kukës-Morin, por që është parandaluar nga policia.

Dy të rinjtë kishin dalë të armatosur, por fatmirësisht në kohën kur ata do të grabisnin, aty ka kaluar një patrullë policie, e cila ka bërë shoqërimin dhe më pas arrestimin e tyre.

Burimet e Drejtorisë së Policisë së Kukësit bënë të ditur se ngjarja ndodhi në segmentin rrugor Bregu i Lumit-Morin, pjesë e autostradës, gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të shtunës. Sipas të dhënave nga policia lokale, Jetlind dhe Lirim Matmuja, përkatësisht 24 dhe 19 vjeç, nga fshati Përbreg i Kukësit kishin dalë në rrugë dhe dyshohet se ishin përgatitur për t’i grabitur makinën dhe sendet e tjera me vlerë një kosovari, shkruan Indeksoline.

Sipas policisë, në atë kohë ka qenë duke patrulluar në këtë segment rrugor një makinë policie, pasi nuk është hera e parë që ndodhin grabitje në këtë zonë. Sapo policia ka vënë re dy të rinjtë, ka bërë shoqërimin e tyre për në Drejtorinë e Policisë së Kukësit. Më pas, ata janë marrë nën hetim nga seksioni kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë dhe dyshohet se ata do të grabisnin një kosovar.

Në këto kushte, policia ka vendosur arrestimin e tyre, ndërkohë që ka nisur hetimet nëse janë përfshirë në ngjarje të tjera kriminale. Sipas të dhënave nga policia, kjo nuk është hera e parë që persona të ndryshëm tentojnë të grabisin udhëtarët kosovarë, kryesisht në sezonin turistik. Në këto kushte, policia ka vendosur që sidomos gjatë orëve të natës të patrullojë me makina policie në zonën e Kukësit, duke tentuar të parandalojnë ngjarje të tilla kriminale.

Patrullimi në zonë bëhet njëkohësisht edhe duke u bazuar në planin e masave të Policisë së Kukësit për sezonin turistik. Madje, policia shqiptare, për sezonin turistik po bashkëpunon me atë të Kosovës, për shërbimet e përbashkëta në rrugë. Ky bashkëpunim është mirëpritur nga ana e udhëtarëve kosovarë që hyjnë në Shqipëri, duke e parë si një mundësi të mirë edhe për shmangien e aksidenteve rrugore. Drejtuesit e automjeteve, që përshkojnë Rrugën e Kombit, thonë se prania e punonjësve të policisë në çdo aks rrugor është e domosdoshme, pasi rrit nivelin e sigurisë në rrugë.

Të arrestuarit janë: Jetlind dhe Lirim Matmuja, përkatësisht 24 dhe 19 vjeç kishin dalë në rrugë dhe dyshohet se ishin përgatitur për të grabitur një makinë. /albeu.com/
Shtuar më 20/05/2013, ora 13:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori