Të shtohet siguria në veri
Megjithëse motivet e sakta të incidentit të mbrëmshëm ende mbeten të panjohura, dyshohet se përleshja ka filluar pas një tentimvjedhje që ka qenë në proces në një shtëpi shqiptare në atë lagje. Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës kanë reaguar dhe e kanë dënuar incidentin që ka ndodhur të mërkurën rreth orës 20:00 në Kroin e Vitakut në veri të Mitrovicës.

Kryetari, Avni Kastrati kërkoi nga strukturat e sigurisë dhe rendit që të marrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit. “Strukturat përgjegjëse duhet të sqarojnë të gjithë situatën që ka ndodhur aty, në mënyrë që incidenti të mos shfrytëzohet për qëllime politike, duke pasur parasysh rrethanat aktuale në veri”.

Gjithashtu kryetari Kastrati, në një takim të jashtëzakonshëm të Komitetit për vlerësimin e sigurisë që u mbajt të enjten, ka apeluar te popullata që të ruaj gjakftohtësinë në mënyrë që situata të mos eskaloj. “Eskalimi i situatës është në favor të atyre që duan t’i realizojnë skenarët politike në dëm të Kosovës”.

Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ngjarja e së mërkurës mbrëma ka shqetësuar të gjithë, sidomos popullatën në veri. Ai kërkoi nga KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës që të shtojnë praninë në lagjet me popullatë të përzier në veri në mënyrë që të parandalohen incidentet e mundshme.

Nexhip Gashi nga Policia rajonale e Kosovës, duke folur rreth incidentit tha se rreth orës 19:50 policia e stacionit në veri është informuar për një përleshje në mes dy grupeve, shqiptarë dhe serbë në Kroin e Vitakut. “Kësaj thirrje i është përgjigjur njësia patrulluese e stacionit në veri, të cilët kanë intervenuar për të ndalur përleshjen”.

Ai tha se në një moment, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, me ç’rast janë plagosur tre persona të përkatësisë etnike serbe, njëri prej tyre pjesëtar i Policisë së Kosovës. “Të plagosurit janë dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës, ndërsa më vonë është konfirmuar vdekja e Savo Mojsicit, njërit nga të plagosurit”.

Sa i përket motiveve të këtij akti kriminal, ai tha se mbeten të panjohura deri në këtë moment, përkundër faktit që hetuesit policorë kanë shikuar vendin e ngjarjes në kërkim të provave materiale dhe mbledhjes së dëshmive të tjera që do të ndihmojnë në procesin e hetimeve. “Dyshohet se përleshja ka filluar pas një tentimvjedhje që ka qenë në proces në një shtëpi shqiptare në atë lagje”.

Gashi theksoi se me urdhër të prokurorit publik, janë bastisur gjashtë lokacione, tri shtëpi dhe tri banesa të banorëve shqiptarë dhe serbë në atë lagje. “Nuk ka të arrestuar as të dyshuar deri me tani”.
Shtuar më 10/11/2011, ora 14:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori