Të rinjtë nuk u besojnë premtimeve të politikanëve
Pëlqej
Të rinjtë në Kosovë nuk u besojnë premtimeve të bëra në fushatë. Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios "Evropa e Lirë", shumica prej të rinjve vlerësojnë se është humbje kohe t’i kushtohet vëmendje fushatës për zgjedhjet. Megjithatë, duhet thënë që ka edhe nga ata që vlerësojnë se fushatat duhet të përcillen dhe premtimet e politikanëve të besohen racionalisht.

Driton Morina nga Suhareka thotë se mosbesimi në politikanët e vendit bën që fushatës zgjedhore t’i kushtojë vëmendje fare pak. “E përcjen shumë pak fushatën zgjedhore dhe nuk iu besoj premtimeve të politikanëve tanë. Në zgjedhjet paraprake gjithmonë kanë dhënë premtime dhe ato shumë pak janë mbajtur. Për të rinjtë s’ka ku shkon më keq. Papunësi e madhe, ndërkaq premtime japin për punë, por nuk ka asgjë. Të them të drejtën, nuk e besoj që do të dal të votoj”,-thotë ai.

Faton Krasniqi nga Rahoveci thotë se nuk i interesojnë fare fushatat e partive politike për zgjedhjet e 3 nëntorit, sepse është zhgënjyer nga ato paraprake. Të tjerë, si Teuta Shala nga Prishtina, thonë se nuk do të votojnë fare, pasi premtimet e kota i duken më tepër si një tallje nga ana e politikanëve. Aulona Balaj nga Prishtina thotë se nuk ka asnjë arsye të fortë që t’ju besojë premtimeve të politikanëve në fushatën për zgjedhje, si dhe fushatës nuk i kushton vëmendje fare. Ndryshe nga moshatarët e tij mendon Samir Krasniqi nga komuna e Rahovecit. Sipas tij, duhet kushtuar vëmendje premtimeve të politikanëve gjatë fushatës për zgjedhje.

“Po, i shikojmë nga pak. Na interesojnë premtimet që bëhen dhe sa janë të realizueshme ato në jetën e përditshme. Disa janë e disa nuk janë për t’u besuar. Varet prej liderëve që konkurrojnë për komuna. Ka liderë që shumë premtime i realizojnë, por ka edhe të tillë që nuk merren fare me ato premtime që i kanë bërë gjatë fushatës”, thotë Samiri./albeu.com/
Shtuar më 06/10/2013, ora 13:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori