Basha propozon planin me shtatë pika për sistemin zgjedhor

Kryedemokrati Lulzim Basha ka parashtruar sot disa propozime për platformën e reformimit të sistemit zgjedhor. Gjatë një takimi të zhvilluar me të rinj dhe intelektualë, Basha tha se këto ndryshime janë thelbësore për shkak se në zgjedhjet në Shqipëri janë prishur. “Vota jonë nuk ka vlerë për shkak të paracaktimit të rezultatit. Është koha të ndryshojmë rregullat”, u shpreh ai.


1 – Kontroll të plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet. Kontrolli të bëhet nga një organizëm i pavarur.

2 – Tolerancë zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës. Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg.

3 – Financimi i partive, që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur. Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë, përjashtohet nga marrja e tenderëve publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë.

4 – Identifikim, votim dhe numërim elektronik. Do t’i bëjë zgjedhjet më të ndershme dhe rezultatin më të shpejtë.

5 – Sistemi. Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë.

6 – Ngritja e një Senati për llogaridhënien e qeverisë. 40 anëtarët e Senatit zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit. Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive.

7 – Derisa Shqipëria të bëhet anëtare e BE, 100 ditë para zgjedhjeve shqiptarët të kenë një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, për të garantuar zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë.


Shtuar 6.03.2020 13:50