A ka ndonjë plan konkret Kurti për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së? Flet zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, kanë metoda të ndryshme sa i përket interesimit për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.

I pyetur se a ka ndonjë plan konkret Kurti për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së, Kryeziu thotë se Kurti e ka zgjedhur si metodë realizimin e një bisede virtuale nëpërmjet “Zoom-it” me mbrojtjen e të akuzuarve atje.

“Kryeministri Kurti ka pasur një bisedë virtuale nëpërmjet zoom me mbrojtjen e të akuzuarve atje. Kjo ka qenë forma të cilën kryeministri Kurti e ka përzgjedhur për të shprehur interesimin e tij me atë se çfarë po ndodhë atje. Në anën tjetër ju e dini që është kryeparlamentari ynë, zoti Konjufca që i ka vizituar në kuadër të një arsyeshmërie fortë logjike i kreu i Kuvendit meqë Gjykata Speciale si rezultat është produkt, prodhim i Kuvendit dhe i ka dhënë një intervistë pas vizitës së tij dhe i ka dhënë përshtypjet e tij”, tha ai.

Tutje Kryeziu tha se kryeministri dhe kryeparlamentari i kanë zgjedhur metodat e tyre për t’u interesuar se cfarë po ndodh në Gjykatën Speciale.

“Si kryetari i kuvendit, si kryeministri i Republikës së Kosovës kanë zgjedhur metodat e tyre të interesimit me atë se çfarë po ndodh në Gjykatën Speciale”, tha zëdhënësi i Qeverisë në Tëvë1.