Të hiqen të gjitha barrikadat
Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës kanë përshëndetur sot largimin e barrikadës në afërsi të Rudarës nga KFOR-i dhe kanë kërkuar që të vazhdohet largimi i barrikadave të tjera.

Në takimin e Komitetit për Siguri, që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ku qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se KFOR-i ka bërë një punë të mirë që duhet të vazhdojë.

"Barrikadat e vendosura në rrugët e veriut e kanë vështirësuar së tepërmi jetën e qytetarëve atje. Ato janë të papranueshme andaj strukturat e sigurisë nuk duhet të hezitojnë që t’i largojnë ato dhe të krijojnë kushte për liri të lëvizjes”, tha Haziri.

Ai theksoi se duhet të largohet edhe barrikada në urën e Ibrit, e cila është duke krijuar një imazh të keq dhe të frikshëm. "Barrikada në urën e Ibrit duhet të largohet, meqë është një imazh që ushqen ekstremistët serbë, të cilët duan që situata të jetë sa më kaotike".

Haziri ka dënuar sulmin e ekstremistëve serbë kundër KFOR-it, me ç’rast kanë mbetur të plagosur dy ushtarë. Tha se njerëzit që kanë shtënë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it janë njerëz të MUP-it dhe kjo dëshmon se të gjitha incidentet atje dirigjohen nga Beogradi.

Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ditëve të fundit e sidomos ditën që është realizuar aksioni i KFOR-it për largimin e barrikadës në Rudarë, ekstremistët serbë kanë qenë shumë të ashpër edhe me qytetarët serbë që nuk kanë dashur të dalin në rrugë. Ai tha se ata i kanë rrahur edhe një numër të studentëve serbë që i kanë kundërshtuar urdhrat e tyre.

Nexhip Gashi nga Drejtoria rajonale e policisë, tha se situata është e qetë. Ai theksoi se në lagjet shumetnike në veri është rritur prania e policisë. /albeu.com/
Shtuar më 04/06/2012, ora 12:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori