Të hënën shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes
Komisioni parlamentar për legjislacion të hënën do ta shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dërguar ditë më parë nga Qeveria. Sidoqoftë, përveç debatit, Kuvendi këtë projektligj nuk mund ta amandamentojë, të heq apo të shtojë diçka, por vetëm mund ta miratojë ose ta hedhë poshtë. Ratifikimi i marrëveshjes duhet të bëhet me dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës nuk mund t’i heq as t’i shtojë asgjë marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në Bruksel me 19 prill, e as planit të zbatimit. Në këtë mënyrë, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes të hënën do të shqyrtohet në Komisionit për legjislacion, për t’i shkuar pastaj seancës, por asgjë nuk do të preket në këtë Projektligj.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës thotë se marrëveshja mund t’i nënshtrohet një debati në Kuvend, porse nuk ka kuptim të ndryshohet.

“Në qoftë se një marrëveshje është firmosur nga dy kryeministrat, aty ka qenë edhe baronesha Ashton, kanë qenë edhe të tjerët të cilët janë ndihmës në përgatitjen e marrëveshjes, nuk ka kuptim, sepse unë besoj se nëse ndryshon qoftë edhe një fjali, duhet të fillojnë bisedimet për së dyti”, tha Haliti.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, thotë se Komisioni parlamentar ka të drejtë ligjore të ndërhyjë në projektligj, por duhet treguar përgjegjësi në procese të tilla të mëdha, shkruan Radio Kosova.

“Krijohet nganjëherë një bindje e gabueshme se marrëveshjet ndërkombëtare mund të amandamentohen nëpër komisione. Ne do ta shohim. Gjithsesi se të drejtë ligjore dhe kushtetuese komisioni ka, por duhet të tregojmë përgjegjësi për shkak se këto janë procese më të mëdha sesa duken”, tha Gjini.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ditë më parë ka marrë miratimin në Qeveri për t’u proceduar në Kuvend për ratifikim. Pjesë e projektligjit është edhe plani i zbatimit, i cili është arritur të harmonizohet mes dy kryeministrave më 22 maj dhe me të cilin palët marrin obligimet për zbatimin e marrëveshjes. Për fillimin e zbatimit të marrëveshjes paraprakisht, nga Prishtina pritet ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend dhe miratimi i kornizës ligjore, kurse nga Beogradi, si hapa fillestar parashihen veprimet në drejtim të shuarjes së strukturave paralele në Kosovë. /albeu.com/
Shtuar më 07/06/2013, ora 18:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori