Të gjithë kundër gjuhës së urrejtjes
Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet për kërcënimet në adresë të deputetes së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Alma Lama. Ofendimet dhe sulmet ndaj saj janë dënuar dhe nga spektri politik në vend. Femra shqiptare dhe Lama është ofenduar jo vetëm brenda kufijve të Kosovës, por dhe jashtë saj.
Ofendimet që dolën nga një deklaratë e hoxhës nga Prizreni, Irfan Salihu, i cili quajti femrën shqiptare me shprehje vulgare, kanë kaluar dhe kufirin me Shqipërinë. Këtë e ka bërë Forumi Rinor Musliman (FRM), të premten, që iu drejtua Lamës duke zgjeruar ofendimet e hoxhës që nga morali dolën dhe në ofendime kombëtare.

Ajo u quajt “emigrante dhe refugjate” duke u aluduar në prejardhjen e saj nga Shqipëria dhe duke kërkuar largimin e saj nga VV dhe Kosova.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe parti politike kanë bërë thirrje që të vetëdijesohen të gjithë, e sidomos të rinjtë, me mesazhin se këto reagime shpien në rrezik. Ndërkaq, përpos reagimit të qeverisë, në të cilin nuk përmendet Hoxha Irfan për shprehjet e tij vulgare, të shtunën edhe partitë ndëshkuan kërcënimet dhe ofendimet ndaj Lamës.

Teuta Sahatqiu, nga Grupi Parlamentar i LDK-së, ka thënë se për gratë deputete janë të papranueshme shprehjet që përhapin urrejtje. Ajo thekson se institucionet nuk janë marrë seriozisht me këto ofendime, të cilat u ekzagjeruan edhe nga deputeti Gëzim Kelmendi, që tha se gratë deputete po përhapin imoralitet.

Sahatqiu ka thënë se qeveria reagoi menjëherë në mbrojtje të deputetes Lama, por ajo ka bërë thirrje se “nuk duhet të ngopemi me reagime”. Sahatçiu tha se institucionet duhet të mbrojnë fenë që tradicionalisht e praktikuan shqiptarët.

Ajo ka kërkuar nga klerikët fetarë, mësimdhënës në shkolla... që kanë rol edukues të jenë të kujdesshëm dhe të tregohen të matur, pasi ajo vlerëson se rasti i hoxhës tregoi një shembull të keq ku tërhoqi pas dhe një grup rinor.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka theksuar se është linçuar e kërcënuar pasi kishte reaguar ndaj frymës fetare të krijuar në mospërputhje me fenë.

“Ky far Forumi i të Rinjve Muslimanë, ndër të tjera, më pati thënë në reagimin e vet ‘ne do të vazhdojmë të jemi këtu në Kosovë me qindra vite të tjera, edhe nëse një gjë të këtillë ndoshta nuk e dëshiron Car Llazari, Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Sllobodan Millosheviçi, Burim Ramadani apo edhe Stefan Zhvarci”, ka thënë ai, duke kërkuar që deputeti të mbrohet në vazhdimësi, por edhe në rastet kur u njëjtësua deputeti i Kuvendit të Kosovës me Slobodan Milosevicin, që, sipas tij, ishte hiç më pak se një thirrje për eliminim, shkruan "Zëri".

“Sidoqoftë, unë e vlerësoj faktin se më në fund ky problem serioz për shtetin e Kosovës dhe kombin shqiptar po adresohen në debatin publik, të cilin AAK-ja e ka adresuar për vite me radhë”, tha Ramadani, duke iu referuar dhe një deklarate që AAK-ja kishte bërë më 8 korrik 2011, ku kishte shprehur shqetësim për keqpërdorimin e qëllimshëm nga njerëz të caktuar të ndjenjave dhe kërkesave fetare në Kosovë, që po ndodh gjatë periudhës së fundit.

Ndërkaq, Halit Krasniqi, nga Grupi Parlamentar i PDK-së, ka theksuar se gjuha e lëvizjeve fetare, e subjekteve politike që mbrojnë dhe afirmojnë besimin fetar, nuk duhet të karakterizohen me denigrim dhe fyerje, ndaj askujt.

“Vetëm kështu krijojnë respekt edhe aty ku nuk kanë dhe rrisin besimin aty ku ekziston sado pak”, ka thënë Krasniqi, sipas të cilit Grupi Parlamentar i PDK-së ndëshkon kërcënimet dhe fyerjet në adresë të deputetes Lama, dhe femrës në përgjithësi në vend.

Ai beson se BIK-u do të dalë me qëndrim dhe nuk do të heshtë për ta zgjidhur këtë çështje e të tjera që duke shfrytëzuar fenë mund të jenë rrezik për vendin. Gjatë ditës ka reaguar dhe Aleanca Kosova e Re (AKR), përmes një komunikate për media ka bërë thirrje për të gjitha palët që të ulin tensionin dhe të mos bëjnë etiketime fyese dhe dënon fuqishëm sulmet.

“Fenomenet e tilla në shoqërinë tonë janë të vrazhda dhe ushqejnë gjuhën e dhunës dhe urrejtjes në Kosovë”, thuhet në reagimin e AKR-së. Reagimet kanë ardhur dhe nga personalitete shqiptare sikurse brenda dhe jashtë vendit. /albeu.com/
Shtuar më 09/06/2013, ora 13:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori