"Të fortët" do i japin zgjidhje dialogut Kosovë-Serbi?
Nga Ervin Shkulaku

Derisa ka filluar faza e re e dialogut Kosovë-Serbi po flitet për një përfshirje më të madhe në të.

Sot Shefi i Stafit në Zyrën e Presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku është shprehur për Express se Kosova ka kërkuar që në këtë fazë të ndjeshme përfundimtare të përfshihen në mënyrë direkte edhe SHBA-ja. Po ashtu edhe mediat serbe kanë bërë të ditur se në rast të përfshirjes së SHBA në dialog edhe Serbia do të kërkojë përfshirjen e Rusisë në të.

Por përfshirja e Rusisë duket se nuk është problem për Bekim Çollakun i cili është shprehur se nuk dëshiron të paragjykojë.

"Ndërsa, nuk mund të paragjykojmë përfshirjen apo mospërfshirjen e Rusisë apo të ndonjë shteti tjetër në këtë proces. Kjo në masë të madhe do të varet nga rëndësia dhe implikimet e këtij procesi në arenën ndërkombëtare." thotë Çollaku.

E megjithatë në këtë drejtim më e prerë është Ministrja për Dialog Edita Tahiri. Ajo është shprehur për albeu.com se është e papranueshme përfshirja e Rusisë në dialog pasi qëndrimi shtetëror i Kosovës është kundër çdo ndikimi të Rusisë në dialog. Sipas saj ky qëndrim nuk do të ndryshojë.

"Eshtë qëndrim shtetëror i Kosovës se poltikat tona janë euroatlantike dhe ne jemi kundër çdo ndikimi të Rusise në rajon. Kur Rusia e njeh Shtetin e Kosoves atëhere mund të ketë përmiresim marrëdhëniesh, por aleati ynë kryesor është dhe mbetet përhere Amerika dhe ne jemi shtet properëndimor dhe proamerikan." u shpreh Tahiri për albeu.com.

Ndërkaq ajo thotë më tej se fundja SHBA ka qenë pjesë e dialogut teknik në vitin 2011-2012 pasi ka dërguar përfaqësuesit e saj gjatë bisedimeve në Bruksel dhe ka shtuar se SHBA do të jetë pjesë e dialogut deri në fund të këtij procesi që sipas saj, do të përfundojë me njohjen e ndërsjelle mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, analisti Menduh Abazi thotë për albeu.com se përfshirja e
fuqive të medha në dialogun Kosovë-Serbi mund të ketë vetëm një synim, pajtimin dhe njohjen reciproke mes dy vendeve.

Sipas tij e gjithë kjo po ndodh që ky proces të jetë më i kompletuar dhe që të ketë kredibilitet.

"Nuk besoj se do të kenë rol tjetër përveç vëzhguesitPersonalisht mendoj se bisedimet edhe më tutje do të ndërmjetsohen nga BE dhe përfshirja e kujtdo tjetër do të jetë në rol të lehtësimit të përfundimit të dialogut e që fundi duhet të jetë pajtimi mes dy shteteve dhe njohja reciproke. Këto bisedime për Kosovën do të ishin më të lehta në qoftë se pëkrahet ideja e presidentit të vendit per nje ekip te untitetit" u shpreh Abazi.

Por analisti Bajrush Morina mendon se përfshirja e Rusisë në bisedime jo që është e panevojshme por është e dëmshme dhe e rrezikshme. Sipas tij, për Kosovën po bisedohet tash 20 vjet para dhe pas lufte.

"Kam frikë se këto bisedime po e degradojnë edhe më shumë shtetin e Kosovës dhe kjo po bëhet për shkak se liderët politikë të Kosovës janë të shantazhuar me dosje ndërkombëtare e me vepritmari korruputive vendore. Rusia është rrezik global ndërkaq është kërcënim për rajonin dhe është armik për Kosovën." thotë Morina.

Rivaliteti i SHBA-së dhe Rusisë tashmë është i njohur botërisht. Janë të pakta çështjet ndërkombëtare si lufta kundër ISIS që këto të dyja i kanë bashkuar./albeu.com/



Shtuar më 02/09/2017, ora 16:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori