Task Forcë e Prishtinës dhe e Min. Mjedisit për ndërtimet pa leje
Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, ka pritur sot në një takim pune Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Dardan Gashi.

Gjatë takimit u bisedua për trajtimin e ndërtimeve pa leje, planet rregullative, lejet sipas ligjit të ndërtimit, etj.

Pjesë e diskutimit ishin edhe arrestimet e fundit në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës.

Të dy palët ranë dakord që për këto çështje të ngrenë një Task Forcë, në mënyrë që të bëhet trajtimi i të gjitha rasteve si dhe plani i veprimit se si duhet të vazhdohet më tej me afatet kohore.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë bisedës ka shtruar edhe çështjen mbi deponinë e mbeturinave inerte.

“Jemi në pritje të pëlqimit mjedisor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pasi “Lokacioni për këtë deponi tashmë është i definuar. Do të kemi një zgjidhje afatgjatë për këtë çështje, në mënyrë që ta pastrojnë njëherë e përgjithmonë Prishtinën nga mbeturinat e materialit ndërtimor”, u shpreh Ahmeti.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, u shpreh se lokacioni për deponinë do të përcaktohet së shpejti, ndërsa Task Forca e formuar do t’i japë produktet e para shumë shpejt.

“Do t’i zgjidhim shumë shpejt disa probleme që nuk kemi mundur t’i zgjidhim më herët", u shpreh Gashi dhe shtoi se
se gjatë qeverisjes së kaluar janë legalizuar mbi 100 objekte pa leje, përmes një rregulloreje të jashtëligjshme të Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës është e angazhuar të bashkëpunojë me të gjitha palët, për ta zgjidhur problemin e planifikimit hapësinor, për ta mbrojtur interesin publik si dhe për të vënë rend dhe ligj në kryeqytet. /albeu.com/
Shtuar më 07/04/2014, ora 16:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori