E FUNDIT/ Rikthehen protestat studentore, studentët të pakënaqur me premtimet
Tani përgjegjës Serbia
PolitikëShoqëriBallkan&BotëINTERVISTAZëri i BEKFOR-i: Tani përgjegjës, Serbia Artan M. Haraqija | 08-11-2011 00:06 CET KFOR-i të hënën ka përdorur gjuhën më të qartë kur është në pyetje përgjegjësia e Serbisë rreth barrikadave, duke e akuzuar atë se tani e ka vulosur pamundësinë për qarkullim të lirë në tërësi.

Zyrtarët e qeverisë serbe deri më tash i kanë ikur përgjegjësisë për vendosjen e barrikadave në brendi të territorit kosovar duke thënë se ato janë “përgjigje e qytetarëve serbë ndaj forcave speciale e doganierëve kosovarë”.

Mirëpo, Serbia nuk po bën asgjë për heqjen e pengesave të vendosura në brendi të territorit serb dhe për të irrituar më tepër forcat e NATO-s në Kosovë, Serbia nuk po e zbaton as marrëveshjen që e kanë pasur me KFOR-in.

Zëdhënësi i forcave ushtarake ndërkombëtare, Uwe Nowitzky i ka thënë të hënën “Zërit” përmes telefonit se marrëveshja me autoritetet serbe ka qenë që “të premten duke filluar nga ora 8:00 e mëngjesit të nisin heqjen e barrikadës në brendi të territorit serb, rreth 50 metra larg Portës 31 apo Bërnjakut”.

Ai sqaron se KFOR-i i ka xhiruar katër policë serbë që janë paraqitur te barrikada, mirëpo këta policë serbë kanë filluar të largohen menjëherë kur i kanë parë kamerat e medieve dhe kamerën që e kanë përdorur ushtarët e KFOR-it për xhirim.

Sikur kjo të mos mjaftonte, KFOR-i ankohet se megjithëse marrëveshja ishte arritur me autoritetet serbe, këta të fundit tani e mohojnë publikisht atë. Barrikada në afërsi të pikës kufi tare, Porta 31, apo Bërnjak nuk është e vetmja pasi serbët e kanë ndërtuar edhe një barrikadë të re në anën tjetër të veriut, më saktë në anën e kufirit të Jarinjës.

Sipas Nowitzkit, rreth 1.5 kilometra në brendi të Serbisë nga ana e Jarinjës, është vendosur një barrikadë, e cila përfundimisht po pengon qarkullimin e lirë të njerëzve.

Tani e kemi situatën që Serbia është disi përgjegjëse pse nuk kemi kurrfarë mundësie për qarkullim në portat 1 dhe 31”, e thotë qartë Nowitzki.

Gazeta “Zëri” ka bërë përpjekje për të kontaktuar me shefin e delegacionit serb në dialogun me Kosovën, Borko Stefanoviq, mirëpo kjo gjë ka qenë e pamundur. Në anën tjetër Zyra për informim e ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka thënë se ky i fundit do përgjigjet në pyetjen e “Zërit” një ditë më vonë.

Arsyeja për ankesën e KFOR-it ndaj zyrtarëve serbë është se forcat e NATO-s nuk kanë të drejtë të futen në territorin e Serbisë, ndërsa barrikadat atje mund t’i heqin vetëm zyrtarët e shtetit fqinj. Zëdhënësi i KFOR-it ka sqaruar për “Zërin” se kur janë në pyetje “kalimet administrative” (pikat kufi tare të veriut), trupat e NATO-s duhet të kontaktojnë me autoritetet zyrtare përkatëse serbe.

Zyrtarët e KFOR-it mendojnë se për vendosjen edhe të barrikadave në brendi të territorit serb përgjegjës është e ashtuquajtura komuna e Zubin-Potokut.

“Pyesni kryetarin e Zubin-Potokut pse kanë nisur të vendosin barrikada edhe në territorin e Serbisë”, thotë prerazi zëdhënësi i KFOR-it.

Shtuar më 08/11/2011, ora 09:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori