Takim i akullt në Bruksel/ Mogherini: Kosova dhe Serbia biseduan në mënyrë konstruktive (VIDEO)
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka dhënë në deklaratë për media, pas ndërmjetësimit të takimit të radhës të nivelit më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Bashkë me presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikollic, dhe kryeministrat Aleksandar Vuçic dhe Isa Mustafa, unë zhvillova një takim tjetër të nivelit të lartë të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, është shprehur Mogherini pas takimit.

“Në takimin tonë sot ne kemi pasuar diskutimet që kemi zhvilluar në Dialog më 24 janar. Unë jam e inkurajuar nga angazhimi konstruktiv i treguar nga të dyja palët. Ky angazhim dhe vullnet politik i kontribuon shumë reduktimit të tensioneve dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë frymë”, ka thënë më tej Mogherini.

“Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe për Kosovën, por gjithashtu për rajonin dhe për Bashkimin Evropian. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve është kyç për të dyja palët për të ruajtur paqen dhe për të përparuar drejt Bashkimit Evropian. Ai është i rëndësishëm për Evropën dhe për stabilitetin rajonal”, ka shtuar Përfaqësuesja e Lartë e BE’së.

Mogherini ka thënë se të gjithë pjesëmarrësit sot kanë rikonfirmuar vendosmërinë e tyre të plotë për të bashkëpunuar në kuadër të Dialogut.

Ajo ka theksuar se diskutimi i zhvilluar sot ka qenë i sinqertë dhe konstruktiv. /Albeu.com/
Shtuar më 02/02/2017, ora 07:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori