Në ditën e parë të bisedimeve teknike në Bruksel të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfaqësuesit e Kosovës e Serbisë folën mbi
zgjedhjet lokale, doganat dhe për zbatimin e marrëveshjes për zyrat ndërlidhëse mes dy shteteve.
Pas takimeve, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita
Tahiri tha se u vlerësua në mënyrë pozitive procesi i përgatitjeve për
zgjedhjet lokale të 3 nëntori si dhe u riafirmua qëndrimi se
zgjedhjet lokale duhet të zhvillohen sipas parimeve demokratike, të jenë të lira dhe të drejta, në pajtim me Ligjet e Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare ashtu sikurse që përcakton Marrëveshja e Brukselit e datës 19 prill 2013. Sipas saj, në takim ka theksuar rëndësinë që fushata zgjedhore të zhvillohet në një frymë demokratike dhe kritikoi dukuritë e shfaqjeve provokative dhe nacionaliste nga zyrtarë të Serbisë në pjesë të ndryshme të Kosovës.
“Ajo në veçanti ka theksuar rëndësinë e respektimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe kontributin që duhet të jepet për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore duke respektuar dhe zbatuar në plotëni marrëveshjen e Brukselit”,-thuhet në një komunikatë të zyrës së saj për komunikim me publikun.
Gjatë takimit palët ranë dakord që procesi i zgjedhjeve
lokale është një rrugë demokratike që u mundëson qytetarëve zgjedhjen e subjekteve dhe kandidatëve të preferuar dhe u bë thirrje për një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje.
Ndërsa sa i takon çështjes së doganave,
Tahiri ka thënë se është biseduar për çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes dhe procesin e përgatitjeve lidhur me Fondin për zhvillim si dhe për pengesat për lëvizjen e lirë që vazhdojnë të jenë prezentë në pjesën veriore të Kosovës.
RTK shkruan se në këtë kuadër, ajo ka theksuar se ka ngritur shqetësimet lidhur me pengesat e vazhdueshme për lëvizjen e lirë në pjesën veriore duke përmendur sidomos rastin e sulmit mbi stafin e EULEX-it me ç’rast humbi jetën një pjesëtar i EULEX-it si dhe rastin kur të ashtuquajturat mbrojte civile përmes një barrikade pengoi kalimin e doganierëve dhe policëve të Kosovës në rrugë për në pikën doganore në Jarinje.
Tahiri ka kërkuar nga pala serbe që të respektoj marrëveshjen, ndërkohë që kërkoi nga BE-ja angazhime shtesë që të zgjidhet edhe çështja e transportit rrugor për pikëkalimin kufitar në Bërnjak. Diskutimet për çështjen e doganave vazhdojnë sot ndërsa të enjten do të mbahet takimi lidhur me çështjet e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen së lirë.
Shtuar më 02/10/2013,
ora 09:19