Syla mbetet në paraburgim, Apeli e konsideron të rrezikshëm
Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesat për lirim nga paraburgimi të tetë të dyshuarve të paraburgosur në krye me Azem Sylën. Në vendimin e saj gjykata ka konstatuar se ankesat janë të pabazuara
dhe se të tilla i ka hedhur poshtë. Kësisoj, Azem Syla, Hajrullah Berisha, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Ilaz Syla, Nuhi Uka, Arton Vila dhe Lubisha Vujoviq, të dyshuar për krim të organizuar, shpëlarje parash e vepra tjera që lidhen me tjetërsimin e mbi 30 hektarëve prona të shtetit.

"Kolegji gjen se vendimet e Gjykatës Themelore janë të arsyeshme dhe në përputhje me ligjin. Ankesat e mbrojtjes nuk paraqesin apo nuk japin ndonjë argument të ri bindës për pretendimet e tyre të cilat do t’i lejonin Gjykatës së Apelit të ndryshojë aktvendimin e Gjykatës Themelore”, ka thënë kolegji i Gjykatës së Apelit, shkruan insajderi.com

“Në fakt, shumica e argumenteve të mbrojtjes përmbajnë polemika me vendimin e Gjykatës Themelore”. Kolegji ka thënë lirimi nga paraburgimi i Azem Sylës do të paraqiste rrezik që ai të ndërhynte në proces hetimor dhe në dëshmitar. Ka thënë se ka bazë të konsiderueshme se një gjë të tillë, do ta bënte ai.

Pos kësaj, Gjykata ka thënë se ekziston dyshimi se të dyshuarit janë duke vazhduar ende aktivitetet e tyre kriminale me prona.
“Sa i përket rrezikut të përsëritjes së veprës penale Gjykata vlerëson se ka të ngjarë që të pandehurit të përsërisin dhe përfundojnë veprat penale. Ka indikacione të forta se aktivitetet e supozuara kriminale të grupit janë duke vazhduar”, thuhet në aktvendim.

Ish-deputeti Azem Syla është nën hetime për krim të organizuar e shpëlarje parash. Ai ndodhet në paraburgim nga muaji prill. Prokuroria pretendon se bazuar në rezultatet hetimore të deritashme, deputeti Azem Syla, ka organizuar, i financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal.

Syla, së bashku me Fahredin Gashin, dyshohet se kanë fituar pronësi në mënyrë të paligjshme të dhjetëra hektarëve tokë të shtetit në vlerë mbi 30 milion euro. Grupi pretendohet se ka nisur veprimtarinë që nga viti 2006.

Prokuroria pretendon se ngastrat e tokës të përvetësuara në mënyrë të paligjshme, dekada më parë ishin shpronësuar nga prona private dhe ishin bërë të shtetit. KBI Kosova Export, menaxhonte me to.

Pas luftës, këto prona në mënyrë të paligjshme – me vendime gjyqësore të paligjshme dhe me dokumente fals, janë bartur në emra të pronarëve të vjetër. Mirëpo, ata pronarë nuk kanë ditur fare për këtë. Në këtë mënyrë, pronat janë shitur pronarëve të rinj shqiptarë. /albeu.com/
Shtuar më 16/06/2016, ora 14:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori