E FUNDIT/ Studentët sulmojnë Ramën, ka të shoqëruar
Syla dëshmon në gjyqin për krime lufte ndaj Fatmir Limajt
Pëlqej
Në gjykimin që po zhvillohet ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj për krime lufte, të hënën ka dëshmuar ish-komandanti tjetër, Rexhep Selimi, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka kontestuar vërtetësinë e komunikatës, e cila është dërguar në vitin 1998 në emër të UÇK-së, me ç’rast ishte dhënë njoftimi për ekzekutimin e dy shqiptarëve, Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi. Ka thënë se një komunikatë e tillë nuk ka mundur të dërgohet nga UÇK-ja dhe ka elaboruar disa arsye.

Pas Selimit është marrë në pyetje edhe dëshmitari tjetër, Bislim Zyrapi, dikur shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kurse sot këshilltar i presidentit, Hashim Thaçi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ka deklaruar se për shkak të lëvizjeve të shpeshta të tij, nuk ka pasur kohë t’i shohë komunikatat që në atë kohë janë lëshuar.

Duke u përgjigjur në pyetjet lidhur me vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, Zyrapi ka deklaruar se ai nuk kishte dëgjuar për këtë rast, pasi që në atë periudhë ishte jashtë Kosovës.

Seanca pritet të vazhdojë të martën (sot), ku do të dëshmojnë ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Azem Syla, Sokol Dobruna, Naim Maloku dhe Muhamet Hoxha.

Limaj akuzohet për mosmarrjen e masave të nevojshme për parandalimin e këtyre vrasjeve, si dhe për mosraportim të tyre. Si pasojë, mbi të tani rëndon vepra penale e krimeve të luftës kundër popullsisë civile.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, Komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka marrë masa për zbulimin e kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.
Shtuar më 16/01/2018, ora 07:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori