Surroi: Turp janë Hashim Thaçi, Jahjaga dhe Hasani
Publicisti Veton Surroi e ka quajtur "trekëndësh banaliteti" treshen Hashim Thaçi, Atifete Jahjaga dhe Enver Hasanin.

Sipas Surroit, Thaçi, Jahjaga dhe Hasani kanë krijuar një vorbull gllabëruese të kohës dhe se "kanë kapur shtetin e Kosovës".

Ky është shkrimi i plotë i Veton Surroit për Koha Ditore

Trekëndëshi i banalitetit

Pushteti i Thaçit si banesë e zap’ume, presidentja si shefe e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese që formojnë një minoritet të ri që do mbrojtur PDK-në

1.

Trekëndëshi i Bermudeve përmendet, prejse e mbaj mend në fëmijëri, si një sinonim për mister. Është një vend në Karaibe ku humbasin anijet, avionët, pasagjerët. Dikur edhe kujtesa për ta.

Trekëndëshi i Bermudeve ka shërbyer për filma që nuk i mban në mend kush, libra përplot teori konspiracioni (Trekëndëshi është here produkt satanik, herë i CIA-s, herë I KBG-së) –as librat vështirë t’i mbajë në mend kush – dhe artikujt me të njëjtën përmbajtje.

Trekëndëshi i Bermudeve ekziston aty, ndoshta më shumë se çdo gjë për të na kujtuar për një banalitet.

Për banalitetin me të cilin vazhdon t’u shpjegohet misteri i anijeve e avionëve që zhduken, të pasagjerëve që nuk u ndihet më zëri e të kujtesës së shlyer tashmë për ta, anije e avionë dhe pasagjerë së bashku.

2.

Një version i Trekëndëshit të Bermudeve është prodhuar në Kosovë gjatë pjesës së dytë të këtij viti. Nëse i marrim dy simbolet identifikuese të Trekëndëshit të Bermudeve – kapacitetin për të krijuar humbje dhe banalitetin e tij – versioni kosovar i qëndron besnik.

Në pesë muajt e fundit, Trekëndëshi Thaçi-Jahjaga-Enver Hasani (si simbol i Gjykatës Kushtetuese) kanë krijuar brenda hapësirës gjeografike kosovare një vorbull gllabëruese të kohës, parasë dhe shëndetit mendor të qytetarëve të Kosovës. Dhe, e kanë bërë në formën reprezentative të banalitetit.

Prijësi i PDK-së i prin këtij trekëndëshi, në të gjitha aspektet. Në momentin kur në Kosovë, në javën e dytë të qershorit u formua një koalicion paszgjedhor me numra të mjaftueshëm jo vetëm për ta qeverisur vendin, por edhe për ta ndërruar Qeverinë, Thaçi iu kthye njërit prej postulateve fondamentale të filozofisë (po e quajmë kushtimisht) politike së cilës i përket, asaj të zap’imit.

Ashtu sikurse pas qershorit të vitit 1999 pasuesit e kësaj filozofie zap’uan apartamentet, lokalet dhe shtëpitë e serbëve të ikur për të kërkuar dëmshpërblim ditën kur këto apartamente, lokale dhe shtëpi t’u shiteshin blerësve me para në dorë (një lloj takse të vetëproklamuar të “mirëmbajtjes “ a “mirëbesimit”) ashtu edhe Hashim Thaçi e konsideron pushtetin. Me njohuri të thellë për formën e tij të ardhjes në pushtet – ku një rol minor ka luajtur vota e lirë e rol kryesor ka luajtur mundësia e numërimit të votës dhe interpretimit të numërimit – Hashim Thaçi e konsideron Pushtetin si apartament të zap’uem, të cilin, nëse nuk mund ta mbajë vetë, do ta japë në këmbim të një kompensimi.

Andaj edhe insistimi i tij (dhe i Flora Brovinës dhe çdo papagalli tjetër politik që përsërit porosinë e PDK-së) se nuk ka zgjidhje pa marrëveshje me PDK-në. Dhe këtë marrëveshje Thaçi pret ta mbërrijë në zyrën e Atifete Jahjagës.

3.

Zonja Jahjaga, këndi i dytë i Trekëndëshit të banalitetit, ka pasur një evolucion dramatik gjatë gjashtë muajve të fundit. Deri në zgjedhjet e qershorit, ajo arriti të krijojë një baraspeshë: sa më pak fliste aq më shumë rritej respekti për të.

Pas zgjedhjeve të Qershorit kishte dy rrugë. Një, të loz rolin e Presidentes së vendit duke gjykuar politikisht në favor të koalicionit i cili përfaqësonte shumicën në vend. Dy, të shndërrohet në Zyrë avokatie për Hashim Thaçin dhe të procedojë pyetjet Gjykatës Kushtetuese të cilat të vëna në një fjali tingëllojnë si “A më tregoni si duhet të mendoj?”

Në muajt e fundit evoluimi i saj ka shkuar në një drejtim tjetër. Tash zyra e saj është shndërruar në atë që në vende problematike si ky i Kosovës rëndom luhet nga shefi i Misionit të OSBE-së. Pra, si shefe paralele e OSBE-së, zonja Jahjaga pretendon se do t’i mbledhë liderët politikë në një vend neutral (“t’u ofrojë një tryezë të rrumbullakët”, siç shprehen në OSBE) dhe do të lërë që ata të gjejnë zgjidhje.

Natyrisht, zgjidhja do gjendet, siç do të përsërisin në Trekëndëshin banal kosovar, sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, këndit të tretë të Trekëndëshit.

4.

Gjykata Kushtetuese e Enver Hasanit, pos që do të hyjë në histori për kreativitet skajshmërisht joserioz në aktgjykimet e veta (shih aktgjykimin për Jahjagën, ku jashtë çdo norme juridike flitet për shpresën e qytetarëve të Kosovës që Jahjaga të qëndrojë në funksion deri në fund të mandatit), këtë do ta bëjë, pra të hyjë në histori edhe për një lexim aq restriktiv të Kushtetutës që e bën atë të krijojë nonsense juridike.

Nonsensi i fundit juridik i kësaj Gjykate është krijimi i një minoriteti të ri në sistemin Kushtetues që do mbrojtur.
Kushtetuta e Kosovës është ndër më të avancuarat në Evropë për sa u përket minoriteteve, përfshirë këtu edhe komunitete aq të vogla e të pambrojtura si ai rom.

Por, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pas pyetjes së z. Jahjaga (“Më tregoni si duhet të mendoj”?) në sistemin juridik të Kosovës është krijuar një minoritet i ri, ai i PDK-së.

Ndonëse ka pakicën e vendeve në Kuvendin e Kosovës, krahasuar me Bllokun i cili duke krijuar koalicion në një moment kishte edhe potencialin e dy të tretave të Kuvendit, në verdiktin e Gjykatës Kushtetuese dhe në fjalët e vet kryetarit Enver Hasani në paraqitje mediale – praktikë që ndoshta ka legjitimitet në Gjykatën Kushtetuese të Burkina Fasos – vendi i kryetarit të Kuvendit i përket përfaqësuesit të pakicës, të pakicës shqiptare. Të PDK-së.

Verdikti dhe Hasani nuk thonë atë që e thotë Kushtetuta, se të drejtën e nominimit e ka PDK-ja. Verdikti dhe Hasani thonë se Kushtetuta obligon deputetët e Kuvendit të Kosovës që të zgjedhin kryetarin e Kuvendit nga PDK-ja.
Dhe PDK-ja tashmë shndërrohet në kategori minoriteti që do mbrojtur me masa tejdemokratike të “diskriminimit pozitiv”.

5.

Është bërë tashmë praktikë e balancimit të kritikave, nga diplomatë, politikanë lokalë me ambicie shtetërore dhe gazetarë e analistë që të fajësohen që të gjithë për mungesë të konstituimit të Kuvendit dhe të Qeverisë.

Si mund të fajësohen njëjtë përfaqësuesit e shumicës së votave të qytetarëve të Kosovës e që duan të ndërtojnë institucionet e vendit, me ata që i kanë zap’uar e që duan të pengojnë ndërtimin e tyre?

Më duket e padrejtë. Pesë muaj nuk janë aq të gjatë sa të humbet kujtesa për atë se si arriti Kosova deri në këtë gjendje. Pos nëse Trekëndëshi i Bermudeve dhe i Banalitetit na e ka marrë këtë pak kujtesë historike që ekziston./albeu.com/

Shtuar më 05/11/2014, ora 12:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori