Surroi: Bashkimi Kosovë-Shqipëri është i pamundur
Publicisti Veton Surroi, ka qenë i ftuari i radhës në takimin “Letërsia dhe Qyteti” mbajtur në Prishtinë.
Pas një zhvendosje nga jeta aktive politike pas largimit nga partia “Ora”, i pyetur se si e sheh veten në dekadën e ardhshme, Surroi ka pranuar se e sheh në politikë, edhe pse vijon të jetë në të përmes reagimeve dhe shkrimit.

Ndërsa për sa i përket raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në dekadën e ardhshme Surroi tha se raportet në masë të madhe do të varen nga ajo çfarë do të ndodhë në procesin e tashëm të dialogut.

Ai ka shfaqur shpresën se në vend të një situate pa krye në të cilën është nisur Kosova, do të ketë një ndryshim dhe nëse ka ndryshim sipas tij brenda 10 viteve të ardhshme, Kosova dhe Serbia do të jenë dy shtete demokratike të cilat do të përpiqen që në formë të vështirë por me shumë vullnet të krijojnë një ambient tjetër.

Lidhur me debatet e hapura kohët e fundit mbi idenë e korrigjimit të kufijve dhënë nga dy presidentët ai serb dhe presidenti i Kosovës, Surroi sheh si zbatues dhe autor të projektit për shkëmbim kufijsh, presidentin Hashim Thaçi.

Sipas tij, ky projekt do të ketë pasoja të rënda për Kosovën nëse vihet në jetë.

“Është një projekt që nuk është i menduar mirë, ose është i menduar mirë tjetërkund, por i zbatuar këtu me pasoja negative për vendin. Nuk mund të ketë korrigjim të kufijve mes dy shteteve të cilat nuk e kanë njohur njëra tjetrën. Kosova dhe Serbia duhet të përfundojnë procesin e negociatave në mënyrë që si të barabarta të krijojnë një marrëveshjeje paqeje dhe pasi të kenë vendosur parametrat e marrëveshjes së paqes. E marrëveshja e paqes nënkupton edhe përgjegjësi për të gjitha ato viktima të luftës, për shkatërrimin, për përndjekjen për gjenocid, për 1648 të zhdukur dhe nevojën që të zbulohen të gjithë ata”, tha Surroi.

Më tej ai foli edhe për raportet e Kosovës me Shqipërinë duke u treguar kritik për politikat e bashkëpunimit që deri tani kanë demonstruar të dyja vendet.

“Përderisa ekzistojnë pritshmëri të mëdha për bashkëpunim, del një problem i cili është aq banal si patatja dhe tregon realitetin e komunikimit të dy shteteve”, tha ai.

“Derisa nuk mund ta zgjidhësh një problem si patatja, si mund t’i zgjidhësh problemet e tjera, ndërkohë që patatja simbolike e Maqedonisë udhëton gjithandej po ashtu ajo e Malit të Zi”, tha Surroi.


Shtuar më 02/09/2018, ora 16:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori